Lidhje

22 qershor: Vdes aktorja dhe këngëtarja amerikane, Xhudi Garland; Gjykata e Lartë amerikane vendos kundër censurës


Vdes aktorja dhe këngëtarja amerikane, Xhudi Garland

Më 22 qershor të vitit 1969, aktorja dhe këngëtarja amerikane Xhudi Garland u gjet e vdekur në apartamentin e saj në Londër. Garland, cila ishte 47 vjeç, vdiq me sa duket nga një mbidozë aksidentale e ilaçeve të gjumit. Prindërit e saj ishin artistë dhe Xhudi doli për herë të parë në skenë në moshën 3 vjeçare.

Ajo luajti për herë të parë një rol filmi nga fundi i viteve 20-të. XhudiGarland u njoh në gjithë botën, kur në moshën 17 vjeçare luajti rolin e Dorothit në filmin “The Wizard of Oz”. Kënga më e njohur nga ky film ishte “Over the Rainbow” (Përmbi ylber) dhe Xhudi Garland vazhdoi ta këndonte gjatë gjithë karierës së saj.

Ndonjëherë tingëllonte sikur vargjet e këngës pasqyronin pjesë të jetës së artistes. Megjithë popullaritetin dhe pasurinë e saj, lumturia personale e Xhudi Garlandit dukej e pakapshme prej saj..."diku atje përmbi ylber".

Garland kishte ëndëruar që të kthehej në skenat e Brodueit dhe pas vdekjes trupi i saj u kthye në Nju Jork, ku iu mbajtën edhe shërbimet e përmortshme. Aktori Xhejms Mejson, mik i artistes, me të cilin luajti në filmin “A Star is Born”, lexoi një elegji. Fjalët e tij rreth Xhudi Garlandit mund të përshkruajnë më së miri fuqinë e saj si këngëtare dhe aktore: “Talenti i saj më i madh se ajo mund të nxirrte lot nga zemrat prej guri”.


Gjykata e Lartë amerikane vendos kundër censurës

Më 22 qershor 1964, gjykata e lartë e Shteteve të Bashkuara mori vendim lidhur me 4 padi kundër censurës së librave dhe filmave. Në një prej vendimeve më të njohura, gjykata e lartë hodhi poshtë vendimin e një gjykate të shtetit të Floridës për ndalimin e librit të Henri Millerit me titull Tropiku i Gaforres.

Gjykata e Floridës kishte thënë në vendimin e saj se romani i Millerit kishte përshkrime dhe tema të pahijshme dhe imorale. Vendimi i gjykatës së lartë të Shteteve të Bashkuara më 1964 i hapi rrugën vendimit të vitit 1973 të gjykatës së lartë, i cili vendosi një provë ligjore për të përcaktuar se çfarë konsiderohej si e pamoralshme.

Prova e zgjedhur nga gjykata bazohet në interpretimin e një personi të zakonshëm, i cili në mbështetje me normat e kohës, do të nxirrte një përfundim lidhur me veprën, si një e tërë, dhe do të deklaronte nëse ajo portretizonte seksin në një mënyrë të hapur fyese siç përcaktohet nga ligji dhe nëse vepra letrare kishte apo jo vlera serioze.

XS
SM
MD
LG