Lidhje

24 qershor: Rezoluta e Gjirit të Tonkinit; Fillon bllokada e Berlinit


Rezoluta e Gjirit të Tonkinit

Më 24 qershor 1970, Senati i Shteteve të Bashkuara filloi debatin përfundimtar për shfuqizimin e Rezolutës së Gjirit të Tonkinit. Kongresi e kishte miratuar rezolutën në gusht të vitit 1964 me kërkesë të presidentit Lindon Xhonson.

Rezoluta ishte miratuar pas një sulmi që dyshohej të ishte kryer nga luftanije të vogla të Vietnamit të Veriut në Gjirin e Tonkinit kundër dy kryqëzorëve amerikanë. Duke mos dashur të shpallë luftë, presidenti Xhonson kërkoi që rezoluta t’i jepte atij autoritetin e duhur për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve.

"Kërkoj që Kongresi të miratojë menjëherë një rezolutë për ta bërë të qartë se qeveria jonë është e bashkuar dhe e vendosur për të marrë të gjitha masat në mbështetje të lirisë dhe mbrojtjes së paqes në Azinë Juglindore".

Presidentët Lindon Xhonson dhe Riçard Nikson e përdorën Rezolutën e Gjirit të Tonkinit, si autoritetin e tyre ligjor për të vazhduar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Vietnam. Më 30 qershor 1970, Senati e përfshiu shfuqizimin e Rezolutës së Gjirit të Tonkinit në Amendamentin Kuper-Çërç, i cili kufizonte ndërhyrjen ushtarake amerikane në Kamboxhia.

Fillon bllokada e Berlinit

Më 24 qershor 1948, forcat pushtuese sovjetike në Gjermaninë Lindore vendosën një bllokadë tokësore dhe ujore përreth Berlinit Perëndimor. Lejohej vetëm trafiku ajror që duhet të kalonte nëpër disa korridore të posaçme. Bllokada e Berlinit u pa si hapi i fundit i Bashkimit Sovjetik në përpjekjet për t’i detyruar Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Anglinë, që të bënin lëshime ekonomike lidhur me Berlinin Lindor.

Përkundrazi, më 26 qershor, forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara, duke përdorur aerodromin Tempelhof në Berlinin Perëndimor, filluan furnizimin e qytetit me rrugë ajrore.Duke përdorur aeroplanë transporti si një urë ajrore, Shtetet e Bashkuara filluan të transportojnë çdo ditë 80 tonë ushqime, pajisje mjekësore dhe qymyrguri në qytetin e izoluar.

Nga mesi i korrikut aeroplanë më të mëdhenj mallrash filluan të transportojnë çdo ditë 1 mijë e 500 tonë furnizime. Duke fluturuar në kushte atmosferike nga më të ndryshmet, aeroplanë të forcave ajrore amerikane, franceze dhe britanike transportuan furnizime të mjaftueshme për të përballuar nevojat e qytetit gjatë 321 ditëve që zgjati bllokada e Berlinit.

Duke parë se plani për izolimin e qytetit dështoi, më 12 maj 1949 Bashkimi Sovjetik e hoqi bllokadën e Berlinit.

XS
SM
MD
LG