Lidhje

25 qershor: Uatërgejt, Kancer në presidencën amerikane; Vdes kompozitori dhe këngëtari Xhon Mercër


Uatërgejt: Kancer në presidencën amerikane

Më 25 qershor 1973, Xhon Din, ish këshilltari kryesor për çështjet juridike të Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Riçard Niksonit, deklaroi para një komisioni të Kongresit se presidenti Nikson kishte marrë pjesë në përpjekjet për të mbuluar një vepër penale.

Ishte fjala për hyrjen e paligjshme në qershor të vitit 1972 në zyrën qendrore të Partisë Demokrate në kompleksin e ndërtesës Uatërgejt në Uashington. Autorët e këtij akti që po vendosnin pajisje elektronike përgjimi në zyrë, kishin lidhje me komisionin e rizgjedhjes së presidentit Nikson dhe me ndihmësit kryesorë të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Xhon Din që ishte shkarkuar nga detyra e këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë, deklaroi para Komisionit të Senatit se e kishte paralajmëruar presidentin se komploti për të mbuluar hyrjen pa leje në zyrën e Partisë Demokrate përbënte një shkelje të rëndë penale, të cilën ai e quajti "kancer në presidencë".

"Ajo që shpresova të arrija ishte që presidenti të më thoshte t'i jepnim fund kësaj çështjeje menjëherë. U mendova mirë se si t'ia paraqisja gjendjen presidentit dhe në mënyrë sa më dramatike për t'i vënë në dukje se sa serioze do të ishte ajo nëse mbulimi i shkeljeve do të vazhdonte. Fillova duke i thënë se në presidencë ishte zhvilluar një masë kanceroze dhe nëse ajo nuk hiqej, vetë presidenti do të merrte fund prej saj".

Në dëshminë e tij zoti Din tha gjithashtu se me sa dukej presidenti Nikson nuk i kuptonte pasojat e mbulimit të një vepre penale. Me zbulimin një pas një të veprimeve të presidentit Nikson dhe të bashkëpunëtorëve të tij, në atë që tashmë njihet si Skandali i Uatërgejtit, reputacioni i Niksonit u dëmtua rëndë. Në 8 gusht 1974 presidenti njoftoi dorëheqjen, duke filluar që të nesërmen e asaj dite.

Xhon Din më pas u gjet fajtor për konspiracion për rolin e tij në mbulimin e hyrjes së paligjshme në selinë e Partisë Demokrate në Uatërgejt. Ai u dënua me një deri në katër vjet burgim, por pas katër muajsh masa e dënimit iu reduktua në muajt që kishte kryer dhe ai u lirua.

Vdes kompozitori dhe këngëtari Xhon Mercër

Më 25 qershor 1976 vdiq kompozitori dhe këngëtari Xhoni Mersër. Ai kishte lindur në Savanah të shtetit Xhorxhia në vitin 1909. Këngën e tij të parë e kishte shkruar në moshën 15 vjeçare. Në vitin 1930, kur ishte në të njëzetat, ai këndoi këngën e tij të parë të suksesshme. Gjatë jetës së tij, Xhoni kompozoi këngë apo melodi për shfaqje skenike e filma, dhe regjistroi një numër disqesh.

Mersër u bë i famshëm për vargjet e këngëve dhe bashkëpunoi me disa nga kompozitorët më të njohur të kohës së tij. Ai është autor ose bashkëautor i mëse një mijë këngëve. Ai është nderuar me katër çmime Oskar, ka qenë kryetar i shoqatës që nderon kompozitorët më të shquar dhe është nderuar me disa çmime të tjera nga industria e argëtimit. Mersër vdiq nga ndërlikime që pasuan një operacion në tru, në moshën 66 vjeçare.

XS
SM
MD
LG