Lidhje

26 qershor: Presidenti Xhon Kenedi viziton Berlinin Perëndimor; Nënshkruhet Karta e Kombeve të Bashkuara

  • Zëri Amerikës

Presidenti Xhon Kenedi viziton Berlinin Perëndimor

Më 26 qershor 1963, presidenti Xhon Kenedi vizitoi Berlinin Perëndimor për të treguar mbështetjen amerikane për banorët e këtij qyteti të rrethuar nga Gjermania Lindore komuniste. Kenedi vizitoi murin që ndante qytetin dhe që gjatë dy vjetëve të fundit kishte izoluar pak nga pak Berlinin Perëndimor. Ai e quajti murin një fyerje kundër njerëzimit. Më vonë ai mbajti një fjalim para rreth 150 mijë berlinezëve entuziastë që ishin mbledhur para Bashkisë së qytetit.

“Dy mijë vjet më parë shprehja më krenare ishte: Jam qytetar i Romës. Sot në botën e lirë, shprehja më krenare është: Jam qytetar i Berlinit (Ich bin ein Berliner)".

Shumë historianë amerikanë e konsiderojnë vizitën e Xhon Kenedit në Berlin si një nga ngjarjet më interesante të presidencës së tij.

Nënshkruhet Karta e Kombeve të Bashkuara

Më 26 qershor 1945, 50 shtete nënshkruan Kartën e Kombeve të Bashkuara në San Francisko të Kalifornisë. Dokumenti ishte rezultat i 63 ditë bisedimesh ndërmjet delegatëve që përfaqësonin shumicën e vendeve fituese në Luftën e Dytë Botërore.

I pari që e nënshkroi Kartën ishte ambasadori i Kinës në Britani, Dr. V.K. Uellington Ku. Në fjalën e tij ambasadori kinez e krahasoi Kartën e Kombeve të Bashkuara me Magna Kartën (Karta e Madhe) e Anglisë dhe me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Kryetari i delegacionit francez, Zhozef Pol Bonku, e vlerësoi kartën për parimin e përdorimit të forcës "për të shtypur agresionin".

Ambasadori i Bashkimit Sovjetik në Shtetet e Bashkuara, Andrei Gromiko theksoi se vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara kishin marrë përsipër detyrimin "për të zgjidhur mosmarrëveshjet në rrugë paqësore".

Në fjalën e tij presidenti i Shteteve të Bashkuara, Hari Truman, tha se Karta ishte "hapi i parë drejt një paqeje të qendrueshme".

"Karta e Kombeve të Bashkuara që ju po nënshkruani tani është një strukturë e fortë mbi të cilën ne mund të ndërtojmë një botë më të mirë. Historia do t'ju nderojë për këtë. Mes fitores në Evropë dhe fitores përfundimtare në Japoni, në këtë luftë që ka qënë më shkatërrimtarja ndër të gjitha, ju keni fituar kundër vetë luftës".

Kartae Organizatës së Kombeve të Bashkuara hyri në fuqi më 24 tetor 1945.

XS
SM
MD
LG