Lidhje

28 qershor: Fluturimi i parë pa ndalesë deri në Havai; Gjykata e Lartë merr vendim për Muhamed Aliun


Fluturimi i parë pa ndalesë deri në Havai

Më 28 qershor të vitit 1927, dy pilotë të ushtrisë amerikane përfunduan fluturimin e parë nga Oakland i Kalifornisë në ishullin Oahu të Havait.

Pilotët, Lester Maitland dhe Albert Hegenberger, kishin ndër mend ta drejtonin aeroplanin e tyre 3 motorësh të prodhimit Ford me anë të komunikimit me radio me San Franciskon dhe Havain, por për shkak të problemeve me radion ata e bënë drejtimin me hamendje.

Historiani i aeronautikës, Robert van der Linden thotë se shpesh herë fluturimi për në Havai është krahasuar me fluturimin e Çarls Lindbergut nga Shtetet e Bashkuara në Francë, vetëm 17 ditë më parë. Historiani thotë se megjithëqë fluturimi i Lindbergut ishte rreth 1 mijë e 600 kilometra më i gjatë, fluturimi për në Havai qe teknikisht më i vështirë për shkak të problemeve gjatë fluturimit.

Gjykata e Lartë merr vendim për Muhamed Aliun

Më 28 qershor të vitit 1971, Gjykata e Lartë amerikane shfuqizoi dënimin e ish kampjonit të boksit për peshat e rënda, Muhamed Ali, i cili kishte refuzuar të rekrutohej në ushtri. Në vendimin e njëzëshëm të Gjykatës së Lartë thuhej se Muhamed Ali, i njohur me emrin Kasius Klei, ishte rekrutuar pa të drejtë dhe kjo sepse agjencia që merrej me rekrutimet, kishte kundërshtuar pa asnjë shpjegim kërkesën e tij për të shmangur me arsye rekrutimin.

Muhamed Ali ishte dënuar me 5 vjet burgim, por ishte liruar me kusht gjatë procesit të apeleve. Atij ia hoqën titullin e kampionit dhe liçenca për t’u ndeshur në boks iu anulua nga një numër shtetesh. Por zyrtarët e boksit e kishin lejuar atë t’i kthehej sportit dhe kështu ai filloi të korrte sukses në tetor të vitit 1970, 8 muaj para se gjykata e lartë të merrte vendimin.

Megjithë ndërprerjen e karrierës, Muhamed Ali përsëri ia arriti të dilte në krye. Më 1974, në moshën 32 vjeçare, Muhamed Ali fitoi përsëri titullin kampion në peshat e rënda duke mundur boksierin Xhorxh Foreman.

XS
SM
MD
LG