Lidhje

Një qytet përkujton tragjedinë e anijes së hapësirës, Kolumbia


Një qytet përkujton tragjedinë e anijes së hapësirës, Kolumbia
Një qytet përkujton tragjedinë e anijes së hapësirës, Kolumbia

Anija e hapësirës Atlantis është planifikuar të ulet në tokë të enjten, në Qendrës Kenedi të Floridës, duke shënuar fundin e fluturimeve të NASA-s me anije të tilla, fluturime që zgjatën tri dekada. Për disa vjet, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë më anije që të mund t’i çojnë astronautët në hapësirë. Kjo ngjarje do t’i bëjë shumë banorë të Teksasit Lindor, të kujtojnë anijen tjetër të hapësirës, Kolumbia, e cila shpërtheu në atmosferë, mbi kokat e tyre rreth 8 vjet më parë.

Nakogdoçes është një qytet i qetë. Ndërtesat me tulla të kuqe në të dy anët e rrugëve janë plot dyqane e kafene.

Por më 1 shkurt, 2003 banorëve iu duk sikur qielli iu shemb mbi kokë. Ata nuk do t’i harrojnë kurrë çastet kur anija e hapësirës Kolumbia shpërtheu kur po hynte në atmosferën e Tokës.

"Unë as që e dija se kishte një anije në orbitë rreth tokës prandaj nuk po e kuptoja se ç’ishin ato sende që fluturonin mbi shtëpinë tonë. Pastaj e mora vesh nga radioja."

"Shtëpia u trondit si nga një uragan."

"Dëgjuam një zhurmë të fortë dhe u ngritëm menjëherë nga krevati. Në kullotën përpara shtëpisë pamë të binte një send i madh."


Më vonë u zbulua se gjatë nisjes, anija ishte goditur nga diçka që i dëmtoi koracën izoluese, e cila shërbente për ta mbrojtur anijen nga nxehtësia gjatë kthimit në atmosferën e Tokës.

Një pjesë e madhe e anijes Kolumbia ra mu në qendër të qytetit Nacogdoches.

Historiani Arçi Mekdonald thotë se tragjedia e Kolumbias la gjurmë të pashlyeshme te njerëzit e këtij qyteti.

"Pavarësisht nëse je qytet i vogël ose i madh, askujt nuk i pëlqen të shohë diçka të tillë. Sepse në një mënyrë, ata shtatë njerëz na përfaqësonin të gjithë ne, pra ne të gjithë merrnim pjesë në eksplorimin e hapësirës."

Një nga zyrtarët që u mor me atë që ndodhi në Nakogdoçes ishte reshteri i policisë, Gregëri Souell.

"Secila nga këto pika blu përfaqëson një copë nga mbeturinat e anijes. Më telefonuan nga dispeçeria dhe më thanë: ‘Kemi një problem. Kemi gjetur pjesë avioni. Atëhere unë hapa televizorin, pashë që kishin humbur komunikimin me anijen dhe e kuptova përse ishte fjala.’”


Souell thotë se mijëra zyrtarë federale dhe shtetërore, si dhe teknikë të NASA-s erdhën në Nacogdoches dhe në komunitetet tjera përreth për të gjetur mbeturinat.

"Bëhej fjalë për një zonë mjaft të madhe, sa shteti Rhode Island që u kontrollua pëllëmbë për pëllëmbë nga toka, deti dhe ajri."

Kur kërkimi mbaroi, jeta u normalizua përsëri, por njerëzit vazhdojnë të shprehin mjaft kritika për programin amerikan të hapësirës tani që misioneve Shuttle po u vjen fundi.

"Në dy raste ekuipazhet kanë humbur jetën të gjithë. Unë nuk mendoj se ja vlen qëftë edhe sikur një njeri të humbë jetën."

"Ne mund ta kishim bërë këtë me anë të kamerave, kjo do të ishte shumë mirë se sa dërgimi i njerëzve.”

"Ne bëjmë gjithçka dhe shpenzojmë shumë para për t'i mbrojtur, por ata e dinë se kur janë në anije, ata rrezikojnë jetën për vendin."

"Pse duhet të heqim dorë nga diçka për të cilën kemi shpenzuar kaq shumë? Sapo ndodh diçka ne heqim dorë menjëherë."



Megjithatë, të gjithë dëshirojnë një gjë: që misioni i fundit Shuttle të përfundojë pa probleme.

"Meqenëse ne jetojmë aq pranë vendit ku ranë mbeturinat e Kolumbias, të gjithë kanë një farë shqetësimi në mendje."

Prandaj, shumë njerëz këtu do të presin me padurim uljen e anijes Atlantis, fluturimi i fundit i programit Shuttle.

XS
SM
MD
LG