Lidhje

Ekspozitë e re me punime të fotografes Annie Leibovitz

  • Deborah Block
  • Zëri Amerikës

Ekspozitë e re me punime të fotografes Annie Leibovitz

Ekspozitë e re me punime të fotografes Annie Leibovitz

Një ekspozitë e re është hapur kohët e fundit me vepra të fotografes së njohur Annie Leibovitz, e cila ofron një aspekt tjetër të krijimtarisë së artistes. Artistja që ka marrë emër për forografi të personaliteteve të njohura, për dy vjet radhazi bëri fotografi pa personazhe, në pika të ndryshme të Shteteve të Bashkuara ku kanë jetuar njerëz të njohur gjatë shekullit të 19 dhe 20. Ekspozita, e titulluar Pelegrinazh është hapur në Muzeun e Artit Amerikan në Uashington:

Në ekspozitë ka fotografi të shtëpive dhe sendeve personale të figurave që nuk jetojnë më, mes të cilëve artistë, shkencëtarë, fotografë dhe një president amerikan.

Annie Leibovitz thotë se nga viti 2009 deri në 2011 bëri fotografi të vendeve dhe objekteve që e frymëzonin, përfshirë edhe pejsazhe. Ajo thotë se koleksioni përfaqëson një ringjallje të shpirtit të saj. Jo shumë kohë më parë, pas vdekjes së partneres së saj Susan Sontag nga kanceri, fotografja hasi në probleme financiare dhe thuajse humbi kontrollin mbi arkivat e saj me fotografi:

“Në atë proces zbulova gjëra për veten që më dhanë një ndjenjë qetësie”.

Fotografja u frymëzua nga piktorja e shekullit të 20 Georgia O’Keefe dhe shkoi në Nju Meksiko për të fotografuar banesën e saj dhe një kuti me bojra pastel.

Ajo fotografoi gjithashtu objekte që i përkisnin Presidentit Abraham Linkoln, përfshirë kapelen dhe dorezat që kishte në ditën kur u vra në 1865.

Andy Grundberg është kurator i ekspozitës:

“Ajo po përpiqet të pasqyrojë praninë e këtyre figurave, megjithëse nuk i shohim në fotografi”.

Annie Leibovitz ka qenë fotografe për 40 vjet dhe njihet për fotografitë e figurave të artit. Ajo thotë se nuk e kishte në plan të merrej me njerëz të së kaluarës, por zbuloi se e tërhiqnin:

“Ajo që më tërhoqi është fakti që këto figura spikasin në histori. Më pëlqen shumë historia”.

Autorja ishte magjepsur nga historia e Annie Oakley-t, një qitëse me emër dhe një ndër yjet e trupës argëtuese Buffalo Bills West Show në vitet 1800. Në ekspozitë ka fotografi të çizmeve dhe një prej tabelave të qitjes.

Annie Leibovitz u frymëzua edhe në Graceland, banesa madhështore e mbretit të rokut Elvis Presli, ku fotografoi motoçikletën e tij.

Zoti Grundberg thotë se ekspozita është një portret i autores Liebovitz:

“Ekspozita ofron një mënyrë për të kuptuar si mendon Annie Liebovitz për botën, përmes fotografive të personazheve dhe vendeve që ajo i konsideron të rëndësishme”.

Për të nderuar fotografin e pejsazheve Ansel Adams, zonja Leibovitz fotografoi studion ku artisti zhvillonte filmin. Adams, i cili vdiq në vitin 1984, ishte fotograf i pejsazhit perëndimor amerikan. Ai ishte edhe aktivist për mbrojtjen e mjedisit.

Annie Leibovitz realizoi fotografi të ngjashme me ato të autorit Adams në parkun kombëtar Yosemite në Kaliforni.

“Nderimi më i madh që mund t’i bëja është të fotografoja luginën që ai luftoi për ta mbrojtur”.

Në ekspozitë përfshihet edhe një libër që Annie Liebovitz shpreson se do të frymëzojë vizitorët. Ajo thotë se do të vazhdojë të bëjë portrete, por ka dëshirë ta zgjerojë repertorin e saj artistik.

XS
SM
MD
LG