Lidhje

Hetime nga FBI për bllokimin e disa faqeve elektronike

  • Zëri Amerikës

Hetime nga FBI për bllokimin e disa faqeve elektronike

Hetime nga FBI për bllokimin e disa faqeve elektronike

Byroja Federale e Hetimeve thotë se po heton shkakun e bllokimit për disa orë të faqeve të internetit të FBI-së, Departamentit të Drejtësisë, dhe disa industrive argëtuese. Incidenti ndodhi dje pas mbylljes nga qeveria amerikane të njërës prej faqeve më të mëdha në botë ku përdoruesit shkëmbejnë materiale filmike ose audiofonike.

Një grup i vetquajtur “Anonymous” mori përsipër përgjegjësinë për incidentin e djeshëm. Disa prej faqeve, mes tyre edhe ato të agjencive federale, janë rikthyer në gjendje normale.

Dje, autoritetet federale bllokuan faqen e njohur me emrin Mega-upload duke e akuzuar themeluesin e saj dhe 6 persona të tjera për shkelje të ligjit të piraterisë në internet.

Themeluesi i kësaj faqeje, i njohur me emrin Kim Schmitz, u arrestua në Zelandën e Re me kërkesë të autoriteteve amerikane së bashku me tre persona të tjerë.

Një njoftim i Departamenti të Drejtësisë dhe FBI-së thotë se fjala është për “një ndër rastet më të rënda kriminale që lidhet me të drejtën e autorit” në Shtetet e Bashkuara. Në se shpallen fajtorë, të dyshuarit mund të përballen me deri në 20 vjet burg. Autoritetet thanë se Mega-upload u ka shkaktuar dëme me vlerë deri në 500 milionë dollarë firmave që mbajnë të drejtën e autorit.

Mega-upload lejon përdoruesit të ngarkojnë dhe transferojnë materiale të mëdha audio dhe video. Zyrtarët federalë thanë se me anë të kësaj faqeje, personat në fjalë shpërndanin falas filma të Hollivudit, ndonjëherë edhe para se filmi të kishte dalë në treg. Por kompania thotë se faqja përdorej kryesisht për transferime materialesh të ligjshme.

XS
SM
MD
LG