Lidhje

Uashington: Arkivole simbolikë në protestat kundër luftës

  • Zëri Amerikës
  • Uashington

Uashington: Arkivole simbolikë në protestat kundër luftës

Uashington: Arkivole simbolikë në protestat kundër luftës

Aktivitetet e disa ditëve kundër luftës, arritën kulmin në Uashington me një kortezh arkivolësh simbolik në rrugët e kryeqytetit amerikan. Shumë demonstrues thanë se kishin mbështetur zgjedhjen e presidentit Obama në vitin 2008, por tani ishin të zhgënjyer nga mungesa e ndryshimeve të politikave të mëparshme dhe nga vazhdimi i luftës në Irak dhe Afganistan.

Tingulli i daulleve mblodhi mijëra protestues që u grumbulluan për të dënuar përdorimin e forcës ushtarake amerikane. Demonstruesit përgatitën arkivolë simbolikë të mbështjellë me flamuj për të treguar praninë e ushtrisë amerikane në vende të ndryshme.

Disa protestues në biçikleta dhe patina krijuan gjithashtu sulme imagjinare me avionë prej kartonash përpara Shtëpisë së Bardhë.

H.K. Suh nga grupi Amerikanët Koreanë për Paqe tha se beson se tërheqja e trupave amerikane kudo, përfshi në vijën ndarëse mes dy Koreve do të jetë në të mirë të Shteteve të Bashkuara.

Po sakrifikojmë programe sociale këtu në vend të cilat kanë ndikim. Kemi papunësi të lartë, njerëzit po luftojnë për të mbijetuar. Ata po kuptojnë se në vend të gjithë këtyre luftërave jashtë vendit, duhet të përqëndrohemi këtu.

Një demonstratë kundër luftës që kërkonte më shumë ndihmë për studentët dhe uljen e shpenzimeve ushtarake u organizua gjithashtu nga studenti i Universitetit Howard Brian Menafee.

Kemi dalë të gjithë këtu për të treguar se kemi një lidhje të dështuar me administratën Obama, me qeverinë. Jemi këtu për të treguar se studentët kanë nevojë për investime në të ardhmen e tyre pasi jemi e ardhmja e këtij vendi.

Përpara Monumentit Kombëtar, protestuesit vendosën varre simbolike për të nderuar ushtarët dhe civilët e vrarë në veprimet e fundit ushtarake amerikane. Josh Stieber, veteran i luftës në Irak, shpjegon transformimin e tij nga ushtar në protestues.

Ishte një proces ndërgjegjësimi për atë që po bëja, ndërsa tani po ndihmoj në ngritjen e këtyre monumenteve përkujtimore këtu. Kujtoj disa nga gjërat që ishin pjesë e jetës sime në ushtri edhe përpara se të shkoja në Irak, se si disa nga thirrjet tona në betejë ishin – t’i vrisni të gjithë.

Protestat shënojnë shtatë vjetorin e luftës në Irak dhe pasojnë njoftimet e zyrtarëve amerikanë se 2 mijë e 500 trupa të tjera do të duhen për të luftuar forcat talebane në veri të Afganistanit.

Organizatorët kundër luftës thonë se pjesëmarrja ishte shumë më e ulët sesa në protestat e tjera para se zoti Obama të bëhej president por ata thanë se pakënaqësitë ndaj politikës së jashme amerikane po shtohen përsëri.

XS
SM
MD
LG