Lidhje

Ambjentalistët të alarmuar nga planet e Rusisë për shpime në Arktik


Ambjentalistët të alarmuar nga planet e Rusisë për shpime në Arktik
Ambjentalistët të alarmuar nga planet e Rusisë për shpime në Arktik

Pas derdhjes së naftës në ujërat e ngrohta të Gjirit të Meksikës, ambjentalistët po alarmohen përherë e më tepër nga planet e Rusisë për shpimet massive për naftë dhe gaz në Arktik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Brook na sjell hollësi.

Ndërsa Arktiku po i ngjan përherë e më tepër një parku turistik, ai mund t’i ngjajë në të ardhmen një parku industrial. Rusia merr thuajse një të katërtën e eksporteve nga Arktiku. Tani, Presidenti Dmitri Medvedev ka përcaktuar synimin për ta bërë Arktikun “burimin kryesor strategjik” deri në vitin 2020. Për realizimin e këtij synimi, Rusia po fillon projekte energjie për Arktikun me vlerën e 50 miliardë dollarëve, për shpimin e platformave të naftës dhe gazit, terminaleve të trasnportimit dhe uzinave për lëngëzimin e gazit natyror. Por pas derdhjes masive të naftës verën e kaluar në Gjirin e Meksikës, ambjentalistët po i kërkojnë Rusisë t’u kushtojë rëndësi kushteve të sigurisë dhe kontrollit të ndotjes në veri të vendit. Drejtori Ekezekutiv i grupit ambjentalist amerikan “Pacific Environment”, David Gordon, foli për këtë çështje në Konferencën për Arktikun kohët e fundit në Moskë.

“Ne duhet të sigurohemi që i kemi masat e sigurisë para se të lejojmë shpimet në Arktik”.

Në rast se do të kishim rrjedhje në Arktik, tha ai, dimrat e errët, i ftohti i madh dhe distanca e largët nga qendrat e populluara do t’i bënin operacionet e pastrimit shumë më të vështira se sa përpjekjet e verës së kaluar në Gjirin e Meksikës.

“Përpjekjet e pastrimit për Gjirin e Meksikës ishin të jashtëzakonshme, 25 mijë njerëz u angazhuan në të dhe u përdorën 3 mijë e 800 anije. Të gjitha këto nuk do të mund të sigurohen në Arktik.”

Kryeministri rus Vladimir Putin, vizitor i vazhdueshëm i rajoneve polare të Rusisë, premtoi në Konferencën për Arktikun se “as edhe një projekt i vetëm industrial i Rusisë për Arktikun nuk do të realizohet pa zbatimin e kërkesave të rrepta të ambjentalistëve”.

Duke theksuar se Arktiku shumë shpjet do të bëhet burim kryesor i energjisë, ai paralajmëroi se “Një qëndrim i papërgjegjshëm ndaj Arktikut mund të shkaktojë probleme globale, në vend që bota të përfitojë prej tij në një të ardhme të afërt”. Disa ditë më vonë, zoti Putin nënshkroi 5 liçenca të reja për shpime në Arktik.

Në konferencën e Moskës, Vladimir Mulyak, nënpresident i kompanisë private ruse të naftës Lukoil, tha se derdhja e shkaktuar nga BP ishte një paralajmërim i qartë për kompanitë e energjisë që punojnë në Arktik.

Gjatë shpimeve në Arktik, tha ai, u duhet kushtuar më tepër vëmendje kontrollit të ndotjes dhe dyfishimit të sistemeve të sigurisë. Kjo do t’i bënte projektet më të kushtueshme, por Mulyak parashikoi se projektet e kompanisë Lukoil për Arktikun do të mbeten fitimprurëse.

Më 2 dhjetor, Lukoil pritet të marrë pjesë në tenderin për shfrytëzimin e dy fushave ruse me naftë, që mendohet se përmbajnë rreth dy milionë fuçi nafte. Vitin e kaluar, Lukoil ndërtoi një terminal Arktik të aftë për pompimin e gjysëm milioni fuçive në ditë në cisternat e naftës të ndërtuara me material tepër rezistent ndaj akullit.

20 vjet më parë, derdhja masive e naftës në Alaskë nga kompania Exxon Valdez bëri që një brezi i mëparshëm i ambjentalistëve amerikanë ta kundërshtonin prodhimin e naftës në Arktik. Nënpresidenti për politikat e marinës dhe ato arktike i kompanisë WWF, Bill Ajçbaum, foli në konferencën e Moskës.

“Ambjenti i Arktikut do të ndotej së tepërmi nga një rrjedhje e mundshme, krahasuar me Gjirin e Meksikës. Një vit e gjysëm më parë ne kujtuam 20 vjetorin e derdhjes së naftës nga kompania Exxon Valdez dhe mua më sollën gurë në tavolinën time të punës që ende janë të mbuluar me naftë.”

Shumica e rezervave të naftës në Arktik mendohet se ndodhen në ujërat e cekëta të kontinetit. Por Zoti Ajçman nuk e sheh këtë si një faktor pozitiv:

“Këto kushte do të jenë edhe më të rrezikshme në Arktik. Edhe pse nafta nuk ndodhet në thellësi të ujit, përsëri është e rrezikshme."

Por një studim amerikan për gjeologjinë vlerëson se një e katërta e rezervave të pazbuluara të naftës dhe të gazit ndodhen në Arktik. Për shumë nga pjesëmarrësit në konferencën e Moskës për naftën e Arktikut, shfrytëzimi i këtyre rezervave nuk u vu aspak në në pikëpyetje, por vetëm mënyrat dhe koha se kur do të fillojë shfrytëzimi.

XS
SM
MD
LG