Lidhje

SHBA: Probleme të reja me identifikimin e varreve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit


SHBA: Probleme të reja me identifikimin e varreve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit
SHBA: Probleme të reja me identifikimin e varreve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit

Ushtria amerikane vazhdon të hetojë rreth njoftimeve se mijëra varre në Varrezat Kombëtare në Arlington mund të kenë identifikimin e gabuar, ose janë të paidentifikuar. Vetëm disa javë më parë, zyrtarë të Varrezave Kombëtare zbuluan eshtrat e dy ushtarëve të tjerë në varre të gabuara. Këto probleme të reja po shfaqen pasi në qershor Inspektori i Përgjithshëm i Varrezave deklaroi se në këtë monument kombëtar ka probleme të shumta me regjistrimin e varreve.

Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, në dalje të Uashingtonit janë një ndër objektet më të shenjta të vendit. Këtu prehen eshtrat e mbi 300 mijë ushtarëve, përfshirë shumë prej tyre të rënë në konflikte që nga Lufta Civile Amerikane.

Ndërkohë që zhvillohen ceremoni të reja për të sapo-rënët, ushtria ndeshet me skandalin e sapo-publikuar të problemeve në administrimin e varrezave. Xhon McHugh është Sekretari i Ushtrisë:

“Nuk ka asnjë justifikim. Në emër të ushtrisë amerikane dhe në emrin tim, u kërkoj ndjesë familjeve të të rënëve që prehen në këtë varrezë të shenjtë, të cilët tani mund të venë në pikëpyetje kujdesin që kemi treguar ndaj trupave të të dashurve të tyre”.

Zyrtarët e ushtrisë thonë se deri në 6 mijë e 600 varre në këto varreza mund të kenë identifikim të gabuar. Ky pohim pason një hetim 7-mujor lidhur me probleme në regjistrim dhe praktika të parregullta të varrosjes së ushtarëve të vrarë në Irak dhe Afganistan. Ndër problemet e sapo-zbuluara janë: trupa të varrosur mbi njëri-tjetrin në të njëjtin varr dhe hiri i trupave të djegur në krematorium, i gjendur pranë varrezave.

Pas publikimit të skandalit në fillim të këtij viti, Shefi i Administrimit të Varrezave Xhon Mezler dhe zëvendësi i tij Thurman Higinbotham dolën menjëherë në pension. Në një seancë me pyetje-përgjigje në Kongres, zoti Higinbotham u përpoq t’i shpjegonte Senatores Kler Mekeskill si lindi problemi:

“Çdo gjë që bëhet me dorë për mbi 140 vjet do të ketë edhe gabime,” tha zoti Higinbotham.

“E gjithë puna është të shkruash në regjistra, kush është varrosur në secilin varr. S’është punë e ndërlikuar,” thekson senatorja Mekeskill.

Deri tani Departamenti i Mbrojtjes ka marrë mbi 1 mijë telefonata nga familje që shqetësohen se mos të afërmit e tyre janë varrosur në vend të gabuar. Një telefonatë të tillë bëri muajin e kaluar e veja e një ushtari, e cila zbuloi se trupat e të shoqit dhe një ushtari tjetër ishin varrosur në varret e njëri-tjetrit.

Zyrtarët e Varrezave nxorën gjithashtu trupin e një marinsi që u vra në Irak në vitin 2006 dhe familja e tij identifikoi trupin.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se zyrtarët u ndjenë shumë të çliruar që familja arriti të identifikojë trupin e marinsit.

Megjithatë, skandale të tilla kanë lënë gjurmë në mendjet e afro 4 milionë vizitorëve që vijnë çdo vit këtu, si Di Laveri dhe i shoqi:

“Është e pafalshme. Këtu prehen eshtrat e heronjve dhe për ta duhet të tregohet kujdes më i madh”.

Ushtria thotë se ka filluar të forcojë praktikat e menaxhimit dhe kontrollin në Varrezat e Arlingtonit, përfshirë kontrolle të parcelave me varre dhe modernizimin e sistemit të regjistrimit. Por disa familje të ushtarëve të rënë thonë se ende nuk janë të bindur nëse të afërmit e tyre janë në varret e duhura në Varrezat më të famshme të kombit.

XS
SM
MD
LG