Lidhje

Themeluesi i Wikileaks njofton planet për të shkruar një libër

  • Zëri Amerikës

Themeluesi i Wikileaks njofton planet për të shkruar një libër

Themeluesi i Wikileaks njofton planet për të shkruar një libër

Themeluesi i kompanisë Wikileaks Julian Assange do të botojë një libër, manuskripti i të cilit, në bazë të merrëveshjes së nënshkruar, pritet të jetë gati në mars të vitit 2011. Në një intervistë për gazetën britanike Sunday Times, Asanzh tha se nuk donte të shkruante libër, por ishte detyruar ta bënte një gjë të tillë, për shkak të kostos së lartë të faturave që ai duhet të paguajë për procesin gjyqësor ndaj tij.

Sipas njoftimit, Shtëpia Botuese amerikane Alfred A. Knopf dhe ajo britanike Canongate do t’i paguajnë atij 1,3 milionë dollarë për autobiografinë. Asanzh pritet të fitojë para edhe nga tregje të tjera, pas bujës së krijuar nga publikimi prej tij i mijëra dokumenteve sekrete të diplomacisë amerikane. Ky veprim i tij e zemëroi qeverinë amerikane, si dhe udhëheqës të tjerë botërorë.

Disa shërbime pagesash në Internet, si Pay Pal dhe kartat e kreditit Visa dhe Master Card e ndërprenë bashkëpunimin me Wikileaks, duke ngrirë donacionet për kompaninë. Aktualisht Asanzh jeton tek shtëpia e një përkrahësi të tij në Britani, në kushte të ashpëra të lirimit me kusht, që përfshin mbajtjen e një varseje elektronike dhe paraqitjen në polici çdo ditë. Ai është në pritje të ekstradimit të tij, ndërsa kërkohet nga Suedia, ku akuzohet për përdhunim.

XS
SM
MD
LG