Lidhje

Presidenti Topi në SHBA: Komuniteti shqiptaro-amerikan të jetë më i bashkuar

  • Astrit Lulushi

Presidenti Topi në SHBA: Komuniteti shqiptaro-amerikan të jetë më i bashkuar

Presidenti Topi në SHBA: Komuniteti shqiptaro-amerikan të jetë më i bashkuar

Shteti i Miçiganit i ofroi Presidentit Bamir Topi nderime të larta. Dje (22 shtator) Qyteti Harper Woods i dha atij çelsin e qytetit, guvernatori i Miçiganit i dërgoi mesazh mirëseardhjeje, ndërsa anëtari i Kongresit amerikan, përfaqësues i shtetit të Michiganit, e falenderoi për këtë vizitë.

Ndalesën e pare, presidenti e bëri në Qendrën Islame Shqiptare në Harper Woods, afër Detroitit. Imami i kësaj qendre, Shuajb Gerguri e nderoi presidentin Topi me cmimin e jashtëzakonshëm “Vehbi Ismaili”. Imam Vehbi Ismaili lindi në Shkodër më 1919. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ai u ndodh për studime jashtë, ndërsa vendosja e regjimit komunist më 1945, mbylli për të dyert e kthimit në atdhe. Më 1949 ai erdhi në Shtetet e Bashkuara për t’u vënë në krye të bashkësisë islame shqiptare të Amerikës së Veriut. Këtë detyrë, Imam Vehbi Ismaili e kreu plot urtësi e përkushtim derisa sa vdiq më 2004 në Detroit.

Pastaj presidenti Topi vizitoi Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në qytetin fqinj, Rochester Hills. Presidenti Topi vendosi kurorë me lule me emrin e tij para përmendores së humanistes Nënë Terezë dhe një kurorë pranë shtatores së heroit kombëtar Skënderbeu, po në oborrin e Kishës Shën Pali.

Mesazhet që presidenti Topi ritheksoi si për komunitetin shqiptar mysliman edhe katolik në Miçigan, përmbanin thirrje për mospërcarje. Bashkimi, tha presidenti Topi, pasqyrohet së pari në marrëdhëniet ndërfetare, për të cilat shqiptarët krenohen para cdo kombi të qytetëruar.

Presidenti Topi tha se Shqipëria gjithashtu krenohet me diasporën e Amerikës. Kjo diasporë, tha ai, shërbeu si shkendijë në kohët më të vështira, shërben edhe sot si urë për marredhëniet me mikun më të mirë, Amerikën. Kjo e bën diasporën shembullin i shpresës për integrimin e të gjithë shqiptarëve në Bashkimin Evropian, tha presidenti Topi.

Shumë prej pjestarëve të Kishës së Shën Palit vijnë nga rrethet e Malësisë, një çështje që Dom Anton Kçira u ndal në fjalën e tij, duke theksuar mos respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të zi. Ndërsa presidenti Topi tërthorazi iu përgjigj se integrimi i të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian do të sillte edhe zgjidhjen e shumë problemeve.

Si në Qëndrën Islame, edhe në Kishën Katolike, presidenti i Shqipërisë e quajti nder të madh që shqiptarët kanë mik Shtetet e Bashkuara dhe për këtë, mirënjohje të konsiderueshme meriton ura midis dy kombeve, e ngritur nga shqiptarët e Amerikës, tha presidenti.

Ka patur njoftime se gjatë kësaj vizite, presidenti Topi do të nderonte me dekoratë të posacme 4 udhëheqës shpirtërorë të diasporës; dy katolikë e dy myslimanë. Por burime të afërta me delegacionin e presidentit i thanë Zërit të Amerikës se dekretet presidenciale mbi këtë cështje janë nënshkruar, dhe dhënien e dekoratave presidenti do t’a shpallë nga Shqipëria.

Figurat që do të dekorohen flitet se janë; Imam Vehbi Ismaili, Imzot Zef Oroshi, Imam Isa Hoxha dhe Meshtar Prenk Ndrevashaj, që të katër të përndjekur, të burgosur e të ikur nga regjimi komunist dhe që nuk jetojnë më. Ata arritën të shihnin fundin e rregjimit komunist, me përjashtim të Imzot Zef Oroshit, i cili vdiq në Nju Jork në vitin 1989. Ndërkohë, shumë shqiptarë të herëshëm të Amerikës mendojnë se dekorimi i mundshëm i udhëheqësve të tyre, 20 vjet pas rrënies së diktaturës, duket vërtet i vonuar.

Gjatë vizitës në Miçigan, presidenti Topi dhe zonja dhe zonja e parë, Teuta Topi shoqëroheshin edhe nga Konsulli i nderit i Shqipërisë në Amerikë, z. Ekrem Bardha dhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA, z. Aleksander Sallabanda. Me ‘ta ndodhej edhe nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, zoti Naim Maloku. Në mbyllje, një darkë e posaçme u shtrua në restorantin “Fortesa” në Rochester Hills, pronë e afaristit të njohur shqiptaro amerikan nga Kosova, z. Tom Duhani.

XS
SM
MD
LG