Lidhje

Shqipëri: Banka Botërore anulon fondin pas tenderit në shëndetësi

  • Armand Mero

Shqipëri: Banka Botërore anulon fondin pas tenderit në shëndetësi

Shqipëri: Banka Botërore anulon fondin pas tenderit në shëndetësi

Në Shqipëri zyra e Bankës Boterore reagoi mbrëmë ndaj deklarimeve të Ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, lidhur me tenderin për pajisjet mjekesore për të cilin Banka ka vendosur të anullojë financimin prej 1.1 milionë dollarësh pas parregullsive që sipas saj janë vënë re në procedurat e prokurimit. Ministri i Shëndetësisë duke hedhur poshtë akuzat se nga tenderi ishte përjashtuar një kompani me ofertën më të ulët deklaroi se kishte qenë Banka ajo që e kishte kërkuar një gjë të tillë. Por Banka Botërore sqaroi mbrëmë se ajo e kishte bërë këtë sugjerim për një shoqëri e cila nuk përmbushte kriteret teknike, ndërkohë që sipas saj nuk ishte i tillë rasti i shoqërisë japoneze Nihon Kohden të përjashtuar nga gara, ndonëse me një ofertë 600 mijë dollarëshe më të ulët nga fituesi i shpallur prej autoriteteve shqiptare.

“Ministria e Shëndetësisë, komisioni përkatës i Vlerësimit të ofertave i ngritur sipas procedurave, ka vlerësuar dhe ka shpallur kompaninë fituese kompaninë me cmimin më të ulët. Ka qenë Banka Botërore e cila nuk ka pranuar cmimin më të ulët dhe ka kërkuar që vlerësimet teknik dhe specifikimet të shihen me gjerësisht”. Ky ishte dje reagimi i ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili pasi cështja e tenderit të pajisjeve mjekësore u bë publike pas Gazeta Shqiptare zbuloi letrën me të cilën Banka Botërore njoftonte Ministrin shqiptar të Financave se anullonte financimin prej 1.1 milion dollarësh për shkak të parregullsive në procedurat e prokurimit. Banka e kishte marrë këtë vendim pasi nga gara ishte përjashtuar një kompani e cila sipas saj i plotësonte kriteret dhe kishte paraqitur një ofertë shumë më të ulët se sa ajo e fituesit. Në sqarimin e bërë mbrëmë, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të ministrit Vasili zyra e Bankës Botërore në Tiranë pranonte se kishte kërkuar që të rishikohej përzgjedhja fillestare duke qenë se sipas saj “oferta më e ulët ishte teknikisht e papranueshme”.

Pas kësaj sic e pohon edhe ministri Vasili ishte bërë një rivlerësim. Por këtë herë autoritetet shqiptare vendosën që tenderi t’i jepej kompanisë Philips. Sipas Bankës oferta fituese ishte 600 mijë dollarë më e lartë se ajo e kompanisë japoneze Nihon Kohden, e cila ishte përjashtuar nga gara, ndonëse sipas Bankës ajo “ishte edhe teknikisht e pranueshme”.

Ministri i shëndetësisë tha dje se kjo ishte bërë për shkak të parregullsive në dokumentacion të shoqërisë dhe të problemeve me shtetin shqiptar “Për ne ishte e papranueshme që kompani që deklarojnë falls të ardhurat dhe tatimet e tyre e kanë një raport të rremë më shtetin shqiptar të shpallen fituese, sepse nuk do të ishtë korrekte dhe do të ishte një seriozitet i kompromentuar i raporteve mes parave të fondeve publike dhe investimeve që bëhen”.

Por në të vërtetë ministri Vasili nuk saktësohej se në këtë rast nuk bëhej fjalë për kompaninë japoneze por për një shoqëri shqiptare që japonezët kishin përzgjedhur për të ofruar shërbimet.

Dhe sipas sqarimit të Bankës Botërore, “skualifikimi i ofertes me te ulet u be per arsye qe nuk lidheshin me aftesi dhe burime te tenderuesit per te marre persiper kontraten ne fjale. Shqetesimi i vleresuesve kishte te bente vetem me ofruesin lokal te sherbimeve. Sipas udhezuesve te prokurimeve te Bankes, caktimi i ofruesit lokal te sherbimeve eshte kusht vetem per firmosjen e kontrates dhe identifikimi i tij nuk eshte kusht per dorezimin e ofertes. Kualifikimi i ofruesit lokal te sherbimeve – saktësohet më tej - nuk lidhet me pergjegjshmerine e ofertes dhe kualifikimin e kompanise per qellime te vleresimit te ofertes apo dhe shpalljes se fituesit”.

Zyra në Tiranë e Bankës Botërore shpjegon se “para se te merrej vendimi perfundimtar, Banka ka pasur disa komunikime me autoritetet shqiptare, duke u dhene mundesine te rishikonin situaten dhe të kryenin vleresimin e tenderit ne perputhje me procedurat e rena dakord. Nisur nga fakti qe pala shqiptare nuk ndoqi kriteret e permendura te vleresimit dhe kualifikimit ne dokumentat e tenderit dhe nuk rekomandoi si fitues ofertuesin me cmim me te ulet, me specifikime teknikisht te pranueshme, Banka nuk do ta financoje kete kontrate”, nënvizohet në deklarimin e këtij institucioni. Vendimin e saj, Banka ia ka bërë të ditur palës shqiptare që më 9 gusht përmes një letre të firmosur nga drejtoresha dhe koordinatorja për Europën Juglindore Jane Armitage, dërguar ministrit Bode. Por pervec deklarimeve të djeshme të ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili para gazetarëve, pasi cështja u bë publike, asnjë reagim apo përgjigje zyrtare nuk i është drejtuar ende Bankës Botërore.

XS
SM
MD
LG