Lidhje

Obama: Deklaratat e Presidentit të Iranit në OKB të mbushura me urrejtje

  • Dan Robinson

Presidenti i ka përshkruar si të mbushura plot urrejtje dhe ofenduese deklaratat e Presidentit të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, të enjten në Kombet e Bashkuara, se sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 mund të kenë qënë të nxitura nga qeveria amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson na informon se zoti Obama i bëri komentet e tij në një intervistë në programin televiziv të BBC-së në persisht.

Presidenti tha se njerëzit e të gjitha besimeve dhe etniciteteve i shikojnë sulmet terroriste të 2001 si “një tragjedi të rëndë të këtij brezi” dhe shtoi se nuk ishte e justifikuar për udhëheqësin iranian të bënte një deklaratë të tillë në Manhatan, ku familjet humbën të dashurit e tyre në sulmet e 11 shtatorit.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kobmeve të Bashkuara të enjten, Presidenti Ahmadinexhad u shpreh se “shumica e popullit amerikan si dhe shumica e vendeve dhe politikanëve nëpër botë” janë dakord me pikëpamjen se “disa grupe” në qeverinë amerikane janë ato që orkestruan sulmet. Deklaratat e tij shkaktuan që diplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe të të tjerë të largoheshin nga salla. Presidenti Obama i cilësoi këto deklarata në intervistën me BBC-në “të urryera” dhe se ato nuk pasqyrojnë pikëpamjet e popullit iranian.

"Ato janë në kontrast me përgjigjen e popullit iranian kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit, kur njerëzit ndezën qirinj për të nderuar viktimat dhe për mendimin tim ndjenja e humanizmit dhe keqardhjes u shpreh qartë në Iran. Kjo tregon edhe një herë ndryshmin e mendësisë së udhëheqjes dhe regjimit iranian me respektin dhe dhembshurinë që ka treguar për këto çështje populli i Iranit”.

Më parë në një konferencë shtypi, një zyrtar i lartë i administratës tha se komentet e Presidentit Ahmadinexhad ishin pjesë e një sërë deklaratash negative, përfshirë mohimin e holokaustit, të cilat nuk i shërbejnë popullit iranin dhe nuk bëjnë gjë tjetër veç se izolojnë Iranin. Lidhur me përpjekjet amerikane dhe të aleatëve për ta detyruar Iranin të ndryshojë kursin e veprimeve për programin e tij bërthamor, zyrtari tha se dyert për zgjidhjen diplomatike të kësaj çështjeje mbeten të hapura për Iranin. Por ai tha se Irani duhet të vijë në tryezën e bisedimeve dhe të tregojë konkretisht se synon të respektojë detyrimet ndërkombëtare.

Në intervistën me BBC-në, Presidenti Obama tha se sanksionet që i janë vënë Iranit nga Kombet e Bashkuara dhe qeveri të veçanta nuk kontradiktojnë qasjen diplomatike. Duke thënë se nuk ka garanci nëse sanksionet do të kenë sukses, zoti Obama tha se ato “e shtojnë koston” për qeverinë e Teheranit dhe ndoshta e bëjnë atë të mendojë se kursi i tanishëm nuk është rruga më e mirë për Iranin.

Zyrtari i lartë amerikan që informoi gazetarët dje tha se Irani e di se çfarë duhet të bëjë për të plotësuar kushtet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Irani, shtoi ai, duhet ta ketë të qartë se grupi P5+1, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania, është rruga e vetme për bisedime.

XS
SM
MD
LG