Lidhje

Bashkimi Evropian dënon dhunën në Libi


Bashkimi Evropian dënon dhunën në Libi
Bashkimi Evropian dënon dhunën në Libi

Ndërkohë, Bashkimi Evropian dënoi dhunën në Libi dhe kërkoi respektimin e të drejtave të njeriut. Ndërkohë, Italia dhe Malta kanë shprehur shqetësim të veçantë për shkak të ndërlikimeve që mund të vijnë nga vërshimi i imigrantëve drejt këtyre vendeve.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dënuan sot shtypjen e protestave anti-qeveritare në Libi dhe bënë një deklaratë ku dënohet dhuna dhe vrasja e civilëve. Ministrat bën thirrje për të respektuar të drejtat e njeriut dhe të drejtën e grumbullimeve paqësore.

“Jemi shumë të shqetësuar nga ngjarjet dhe dënojmë shumë qartë shtypjen që po vazhdon”, tha ministri suedez i punëve të jashtme Carl Bildt.

Zoti Bildt paralajmëroi për një periudhë të gjatë trazirash në se aspiratat e njerëzve në rajon nuk përmbushen.

Organizata Human Rights Watch ka thënë se 170 vetë janë vrarë nga forcat e sigurisë në shtypjen e demonstratave në qytetin lindor të Benghazit.

Ministri i jashtëm italian Franco Frattini dhe homologu i tij maltez Anthony Borg shprehën shqetësim për situatën në Benghazi ku forcat e qeverisë duket se kanë humbur kontrollin e situatës.

“Jam thellësisht i shqetësuar rreth vet-deklarimit të të ashtuquajturit shteti Emiratet Islamike të Benghazit. A mund ta imagjinoni të kemi një shtet islamik në kufi të Evropës? Ky do të ishte një kërcënim serioz”– tha Frattini, duke bërë thirrje për një proces të ripajtimit kombëtar dhe ruajtjes së integritetit territorial të Libisë.

Libia i deklaroi Bashkimit Evropian se do të ndalë bashkëpunimin për imigracionin e paligjshëm nëse vendet e BE-së vazhdojnë të inkurajojnë protestat pro-demokracisë në vend. Por problemi shqetëson gjithë Bashkimin Evropian dhe jo vetëm Italinë dhe Maltën tha Borg.

“Sigurisht që vendet fqinje, veçanërisht Italia dhe Malta janë më të shqetësuara për shkak të ndërlikimeve që mund të vijnë nga vërshimi i imigrantëve. Por ky nuk është vetëm problem për Italinë dhe Maltën por për gjithë Evropën pasi të gjithë e dimë se imigrantët kur mbërrijnë në një vend tentojnë të lëvizin në vende të tjera të BE-së,” tha Borg.

Dhjetra mijëra imigrantë të paligjshëm përpiqen të hyjnë nga brigjet veriore të Tunizisë dhe nga Libia në ishujt e Italisë çdo vit dhe qinda janë shpëtuar nga rojet bregdetare italiane.
Komisioni Evropian tha në tetor se do të shpenzojë 50 milionë euro për të ndihmuar Libinë të zgjidhë problemin e imigracionit të paligjshëm dhe për të mbrojtur të drejtat e imigrantëve.

XS
SM
MD
LG