Lidhje

Udhëheqësit e BE-së nënshkruajnë marrëveshjen për balancimin e buxhetit

  • Zëri Amerikës

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nënshkruan sot një marrëveshje të re në Bruksel, e cila u kërkon vendeve anëtare të balancojnë buxhetet e tyre, ose në rast të kundërt, do të përballen me gjoba.

Marrëveshja e njohur si “Traktati për Koordinimin e Stabilitetit dhe Qeverisjes”, synon të shmangë përsëritjen e krizës së borxheve në 17 vendet e Eurozonës. Britania dhe Republika Çeke vendosën të mos e nënshkruajnë marrëveshjen, një veprim që shkaktoi shqetësim mbi rrezikun e një çarjeje në Bashkimin Evropian prej 27 anëtarësh.

Udhëheqësit evropianë shpresojnë se rregullat e reja për disiplinën buxhetore po ashtu do të sjellin në një integrim më të shpejtë politik dhe ekonomik në Eurozonë. Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy tha se traktati do të sjellë unitet ekonomik dhe monetar për vendet e Bashkimit Evropian:

“Ky është një traktat që ka të bëjë kryesisht me deficitin dhe borxhin publik, por ai ka një synim tepër të qartë: stabilitetin financiar dhe rivendosjen e besimit në Eurozonë”.

Për herë të parë në disa muaj, takimi u zhvillua një kushte relativisht të qeta të tregjeve financiare.

Presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, tha se tani “ka më pak tension” për Euron, duke i lejuar udhëheqësit evropianë të përqëndrohen më tepër tek rritja e ekonomike.

“Këtë herë në takim patëm mundësinë të fokusohemi tek nevoja për reforma strukturore, të nevojshme për rritjen ekonomike”.

Traktati do të hyjë në fuqi vetëm pasi udhëheqësit e BE-së ta ratifikojnë atë vendet respektive.

XS
SM
MD
LG