Lidhje

Kryeministri i Shqipërisë ndodhet në Bruksel për të dorëzuar pyetësorin

  • Armand Mero

Kryeministri i Shqipërisë ndodhet në Bruksel për të dorëzuar pyetësorin

Kryeministri i Shqipërisë ndodhet në Bruksel për të dorëzuar pyetësorin

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha nisi sot një vizitë në Bruksel ku në mbrëmje ai do t'i dorëzojë komisionerit europian të Zgjerimit, Shtefan Fyle, përgjigjet e pyetësorit që komisioni i dorëzoi Shqipërisë pas kërkesës së saj për marrjen e statusit të kandidatit për vend anëtar.

Kryministri Berisha mori pjesë gjatë paradites në një konferencë për Shqipërinë të organizuar nga fondacioni Robert Shuman në parlamentin europian ku i pranishëm ishte kryetari i delegacionit të këtij parlamenti për Europën Juglindore Eduard Kukan si dhe kreu i grupit parlamentar të partisë popullore, Joseph Daul. Në fjalën e tij kryeministri shqiptar bëri një paraqitje të përpjekjeve të Shqipërisë për t'iu përgjigjur detyrimeve të procesit të integrimit europian.

Ai u ndal edhe në situatën politike dhe marrëdhëniet me opozitën duke deklaruar se mbetet i angazhuar për të bashkëpunuar me të. Zoti Berisha përsëriti se pretendimet për parregullsi, opozita duhet t'Ia paraqesë prokurorisë pasi sipas tij parlamenti nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave. Kreu i delegacionit të parlamentit europian për Europën Juglindore, Kukan, i cili pak javë më parë vizitoi Shqipërinë për të parë përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave deklaroi se të gjithë kriteret teknike janë përmbushur.

Duke iu referuar situatës politike, ai u shpreh se "rruga europiane për të zgjidhur konfliktet dhe çështjet politike është vetëm përmes institucioneve demokratike dhe jo bojkoti i parlamentit". Në mbrëmje, pas takimit, Kryeministri Berisha do të ketë edhe një konferencë shtypi me komisionerin për zgjerimin, Shtefan Fyle, ndërsa nesër ai do të takohet me presidentin e komisionit, Zhose Manule Barroso si dhe presidentin e Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy.

XS
SM
MD
LG