Lidhje

Pemët Bonzai në një koleksion të veçantë në Uashington


Pemët Bonzai në një koleksion të veçantë në Uashington
Pemët Bonzai në një koleksion të veçantë në Uashington

60 vjet më parë, më 6 gusht 1945, gjatë Luftës së Dytë Botërore, një avion bombardues i pagëzuar me emrin Enola Gay, hodhi bombën e parë atomike mbi qytetin e Hiroshimës në Japoni, duke shkaktuar vdekjen e qindra mijëra vetëve. Ndër gjallesat që i mbijetuan shpërthimit ishte edhe një pemë e vogël bonsai, e cila përfundoi në Shtetet e Bashkuara, si dhuratë kombëtare nga Japonia. Kjo pemë, tani 400 vjeçare, është ende gjallë dhe bën pjesë në koleksionin më të veçantë të kryeqytetit amerikan:

Nëse pema Bonzai do të mund të fliste, do të kishte shumë për të treguar. Gjatë jetës së saj 400 vjeçare ka parë më shumë se një luftë.

"Kjo është një pemë që mbijetoi. Ishte faktikisht në Hiroshimë, kur u hodh bomba."

Jack Sustic është kurator në Muzeun Kombëtar Bonsai & Penjing në Uashington. Ai tregon se pema u soll në Shtetet e Bashkuara në vitin 1976 për të festuar 200 vjetorin e Amerikës, si dhuratë e një koleksioni me 53 pemë bonzai nga Japonia.

"Kjo është një pishë e bardhë japoneze që bënte pjesë në koleksionin original. E mbante familja Yamaki për 6 breza me radhë, para se ta dhuronte. Në fillimet e saj në vitin 1625 ishte pemë bonzai."

Zoti Sustic thotë se familja Yamaki kishte një fidanishte me pemë bonzai dhe kjo ishte ndër pemët më të përzgjedhura. 6 breza të kësaj familjeje ishin kujdesur për pemët në Japoni dhe deri tani 4 kuratorë në Amerikë janë kujdesur për këtë pemë.

"Zoti Yamaki, donatori i pemës, erdhi 4-5 vjet pasi u dhurua pema. Është histori interesante, pasi ndodhej këtu duke parë pemën dhe filloi të qante. Në atë moment, kuratori filloi të ndjehej disi i nervozuar, disi në siklet dhe e pyeti përkthyesin nëse kishte ndonjë problem. Zoti Yamaki i ishte përgjigjur se pema ndjehej e lumtur në Amerikë, prandaj ai po qante."

Kuratori Sustic thotë se përkujdesja për këto pemë është nder dhe njëkohësisht kënaqësi, por edhe përgjegjësi e madhe. Çfarë do të bënte po t’u ndodhte diçka pemëve?

"As që dua ta mendoj një skenar të tillë. Por e kam bërë një valixhe gati në shtëpi. Po t’i ndodhte diçka kësaj peme, nuk besoj se do m’i gjente njeri gjurmët më".

Me dhurimin e pemëve bonzai filloi ky koleksion në Kopshtin Botanik Kombëtar. Ky është koleksioni më i madh në Amerikën e Veriut dhe tani përfshin afro 300 rrënjë të ndara në 3 pavione, bonzai japoneze, kineze dhe amerikane.

"Fjalë-për-fjalë, bonzai do të thotë pemë e mbjellë në saksi. Por këtu bëhet shumë më tepër se aq. Kjo është faktikisht një ekspozitë e artit të gjallë."

Ndër bonzait më të famshme të koleksionit është një pyll 57-vjeçar me pemë dëllenje, krijuar nga John Naka, i cili konsiderohet si babai i bonzait të Amerikës së Veriut. Ai mbolli një rrënjë për secilin nga nipat e mbesat e tij.

"Puna për pemën nuk mbaron kurrë, pasi është art i gjallë. Është krasitja e vazhdueshme që e mban të vogël pemën".

Arti i bonzait kërkon kujdes dhe durim të madh që realizohet nga një personel i vogël dhe 15 vullnetarë. Pemët vazhdojnë të rriten, prandaj duhet të krasiten 1-2 herë në vit dhe t’u ndërrohet saksia çdo 2-3 vjet. Disa nga pemët janë shumë delikate:

"Kjo pemë dëmtohet nga yndyra e duarve, prandaj nuk duhet prekur me gishta. Po ta prekësh, majat i nxihen dhe më duhet të punoj për t’ia hequr pjesët e dëmtuara".

Koleksioni me pemë bonzai është i paçmueshëm. Çdo pemë është unike dhe mosha mesatare është rreth 100 vjeç, gjë që nënkupton se për këto pemë janë kujdesur disa breza. Pemët bonzai lulëzojnë, lidhin fruta dhe ndryshojnë ngjyrat në vjeshtë. Kuratori Sustic thotë se ai dhe familja e tij vjelin mollë që hahen prej një nga 30 bonzait që ka në shtëpi.

"Një aspekt interesant është se frutat dhe lulet nuk zvogëlohen".

Që nga fillimet e saj në Kinë mbi 1000 vjet më parë, arti i pemëve bonzai ishte vetëm një zbavitje për elitën për shekuj me radhë. Në Shtetet e Bashkuara kjo praktikë është bërë mjaft popullore, kryesisht falë Fondacionit Kombëtar për Bonzait. Johann Klodsen është drejtoresha e fondacionit dhe si shumë të tjerë që e njohin nga afër koleksionin, ajo thotë se bonzai ofron më tepër se të sheh syri:

"Ashtu siç ndodh me çdo formë arti, kur qëndron para një vepre arti, hapet një dialog mes veprës dhe individit dhe ky dialog merr dimensione spirituale".

"Nëse fillon të merresh me bonzai, kjo përvojë fillon të të ndryshojë në shpirt. Të bën njeri më të mirë. Të mëson të tregohesh i duruar dhe të kesh respekt. Pa diskutim që më ka bërë mua, një njeri më të mirë."

XS
SM
MD
LG