Lidhje

Ish i përndjekuri Lekë Tasi sjell librin me kujtime "Grabjani rrëzë kodrave"

  • Astrit Lulushi

Ish i përndjekuri Lekë Tasi sjell librin me kujtime "Grabjani rrëzë kodrave"

Ish i përndjekuri Lekë Tasi sjell librin me kujtime "Grabjani rrëzë kodrave"

Zoti Tasi, pjestarët e familjes së të cilit bënë rreth 80 vjet burgim nën komunizëm - pa përfshirë vitet e internimit - thotë se libri "Grabjani rrëzë kodrave" pasqyron një realitet të zi e të hidhur, që shumë shqiptarë vetëm kanë dëgjuar, por ka edhe nga ata që nuk e njohin ose nuk janë të interesuar t'a njohin

Më 8 maj, në një nga mjediset e hotelit Hilton afer Uashingtonit u bë promovimi i librit "Grabjani rrëzë kodrave" me autor Lekë Tasin. Kolegu Astrit Lulushi sjell hollësi.

Grabjan është emri i fshatit famëkeq, ku internoheshin kundërshtarët e diktaturës, "rreth 20 km nga Lushnja, por larg rrugës nacionale..., vecse det nuk shohim me sy". Promovimi i librit u organizua nga shoqata Vatra. Autori Lekë Tasi kishte udhëtuar nga Shqipëria për të paraqitur librin e tij.Pjesmarrëst u mblodhën më 8 maj në një nga mjediset e hotelt Hilton në Silver Spring afër Uashingtonit. Ata ishin shqiptarë nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Merilandi, Virxhinia, kryesisht ish të burgosur, ish të përndjekur ose pjestarë familjesh të ish internuara nga regjimi komunist. I pranishëm ndodhej edhe zv/ambasadori i Shqipërisë, zoti Kreshnik Collaku. Libri është pasqyrë dhe analizë e vuajtjeve në internim. Aty sillen shembuj nga jeta e përditëshme. Personazhet janë realë. Fejzi Kulla është një prej tyre. Ai sot jeton në Amerikë, dhe gjithmonë emocionohet kur kujton ditët e internimit: “Plagët janë të hapura”, thotë zoti Kulla, dhe dhimbjen më të thellë ia shkakton indiferentizmi i shoqërisë shqiptare për të mos u ballafaquar plotësisht e hapur me krimet e së kaluarës. “Ky do të ishte kompensimi më i madh që kanë nevojë ish të përvuajturit”, thotë zoti Kulla.

Jadigjar Luzaj, një tjetër ish i përndjekur politik, tani me banim në Amerikë, e falenderon zotin Lekë Tasi, për librin e tij, sepse megjithëse flet për të internuarit e Grabjanit, aty e gjejnë veten në kushte të ngjashme të gjithë ish të internuarit e Shqipërisë së atëherëshme nën diktaturë. Ndërsa zoti Luzaj fliste, bija e tij, Blerina 26 vjecare nuk i përmbante lotët.

Muhamet Omari, është një tjetër nga ata që shteti komunist i kishte shpallur "armiq". Ai mendon se ish të burgosurit dhe ish të përndjekurit politikë, të cilët vazhdojnë të përbëjnë periferinë e shoqërisë shqiptare, duhet të tregohen më këmbëngulës e më shumë kërkues për rehabilitimin e tyre, tani që kanë mbetur të zhgënjyer nga qeveritë e këtyre 20 vjetëve që nga rrënia e dikaturës.

Zoti Tasi, pjestarët e familjes së të cilit bënë rreth 80 vjet burgim nën komunizëm - pa përfshirë vitet e internimit - thotë se libri "Grabjani rrëzë kodrave" pasqyron një realitet të zi e të hidhur, që shumë shqiptarë vetëm kanë dëgjuar, por ka edhe nga ata që nuk e njohin ose nuk janë të interesuar t'a njohin. Kjo dëmton kujtesën historike, sepse kujtesa është si notë vlerësuese e mësimit që njeriu ka nxënë nga e kaluara; sa më e pakët kujtesa, aq më e ulët është kjo notë, nxënësi ka mësuar pak ose aspak.

Libri vërtet mban titullin “Grabjani rrezë kodrave”, por nuk ndalet aty. Vështrimi shkon shumë përtej “kodrave”. Duket se vendin e internimit, Lekë Tasi e zgjedh për të nisur fillin e një arsyetimi. Dhe në fund ai arrin në përfundimin se askush nuk ka të drejtë t’a trajtojë tjetrin në mënyrë çnjerezore. Se vrasjet, diskriminimet, torturat, keqtrajtimet, poshtërimet, mohimet si ato të përshkruara në libër, janë krejtësisht të papërligjshme nën çdo lloj regjimi a rendi shoqëror; prandaj edhe cështja e trajtimit të tyre vazhdon të mbetet e pazgjidhur, sepse ato nuk mund të trajtohen duke pyetur “pse ndodhën?”, kur në radhë të parë nuk duhej të kishin ndodhur.

Një tjetër përfundim i linjës së arsyetimit të autorit në këtë libër është nevoja e rehabilitimit të disa figurave historike që ende, 20 vjet pas rrënies së diktaturës, shikohen si tradhëtarë, fashistë, kuislingë sepse ishin anti-komunistë, por më shumë ishin atdhetarë. Këto figura, autori Lekë Tasi i sheh si të vetmet lidhje të mendimit të kultivuar me qytetërimin perëndimor, mendim që zuri fill me rilindasit, vazhdoi në vitet pas pavarësisë, por që u ndërpre a nuk arriti të trashëgohej me ardhjen e komunistëve në pushtet me 1944. Qëllimi i zotit Tasi është të shkruajë. Ai thotë se ka në plan një libër të dytë të ngjashëm, që mund të quhet vazhdim i Grabjanit rrëzë kodrave për të treguar se ku e në c'gjendje ndodhen sot viktimat e Grabjanit a pasardhësit e tyre.

XS
SM
MD
LG