Lidhje

Bosnje: Reagime ndaj rezolutës serbe për Srebrenicën

  • Zëri Amerikës

Bosnje: Reagime ndaj rezolutës serbe për Srebrenicën

Bosnje: Reagime ndaj rezolutës serbe për Srebrenicën

Qytetarë të Bosnjes në Sarajevë dhe në Pale reaguan sot në mënyra të ndryshme ndaj rezolutës së parlamentit të Serbisë për të kërkuar falje lidhur me vrasjen e mijra myslimanëve të Bosnjes në Srebrenicë në vitin 1995. Deputetët në Beograd votuan në favor të rezolutës pas një dite debatesh emocionale.

Rezoluta shpreh zyrtarisht keqardhjen e Serbisë për viktimat dhe kërkon ndjesë se nuk u bë sa duhet për të ndalur masakrën, por nuk i quan vrasjet genocid.

"Jam e zhgënjyer, thotë Munira Subasiç, burri dhe djali i së cilës vdiqën në masakrën e Srebrenicës. Në Srebrenicë pati gjenocid, gjykata arriti në këtë përfundim dhe ne, nënat që ishim viktimë e këtij gjenocidi e dimë këtë,” thotë Munira.

Forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë të Bosnjes kur ushtarët serbë morën kontrollin e asaj që duhet të ishte një zonë e sigurtë e Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë në vitin 1995.

"Ajo që mund të them është se u bë mirë që ata më në fund po flasin. Kemi pritur kaq vite që Serbia të pranonte një farë përgjegjësie,” thotë Kada Hotiç, e cila gjithashtu humbi burrin dhe djalin në Srebrenicë.

Srebrenica është rasti i vetëm në Evropë i vrasjeve masive që nga Lufta e Dytë Botërore. Rezoluta miratohet ndërkohë që Serbia përpiqet të lëvizë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian

"Të gjithë thonë se duhet të shohim përpara por ata hezitojnë ta bëjnë këtë siç duhet bërë,” thotë banori i Sarajevës, Camo Juso.

Në Pale, ish bazë e serbëve të Bosnjes gjatë luftës, njerëzit e shikojnë miratimin e rezolutës si një lëvizje politike e cila nuk do t’i përmirësojë marrëdhëniet mes grupeve të ndryshme etnike në vend.

"Mendoj se në këtë moment miratimi i rezolutës, e cila është thjesht politike, nuk do të sjellë ndonjë gjë të madhe përsa i përket ripajtimit aq të dëshiruar sepse mes vetë serbëve nuk është arritur një konsensus,” thotë banori i Pales Radosllav Zhivkoviç.

Rezoluta serbe miratohet ndërkohë që ish udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës Ratko Mlladiç është ende i lirë.

Beogradi aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin dhjetor por duhet të kapë dhe të dërgojë në Hagë Mlladiçin para se të fillojnë bisedimet. Ish gjenerali besohet se fshihet në Serbi.

XS
SM
MD
LG