Lidhje

Bosnje: Zhvillohen zgjedhjet parlamentare, në një atmosferë dasish etnike

  • Zëri Amerikës

Bosnje: Zhvillohen zgjedhjet parlamentare, në një atmosferë dasish etnike

Bosnje: Zhvillohen zgjedhjet parlamentare, në një atmosferë dasish etnike

Zgjedhësit në Bosnje hodhën të dielën votat për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat konsiderohen si shumë të rëndësishme për të kapërcyer ngërçin politik që kërcënon aspiratat e vendit për antarësim në Bashkimin Evropian dhe Nato. Udhëheqësit e popullsisë myslimane të Bosnjes kanë bërë fushatë, me premtimin për forcimin e institucioneve qendrore të vendit, një kusht thelbësor për antarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Udhëheqësit e Republikës Serbe të Bosnjes thonë se njësia serbe nuk do të pranojë asgjë më pak se autonominë:

Rreth 3 milionë votues të ndarë sipas vijave të qarta etnike në boshnjakë, serbë dhe kroatë do të zgjedhin nga lista me 8 mijë kandidatë për parlamentet rajonale dhe parlamentin qendror të vendit, si dhe presidencën me rotacion nga përfaqësues të të tre etnive.

“Shpresoj të hapin vende pune për të rinjtë. Këtë pres nga zgjedhjet,” thotë një votuese nga Banja Lluka.

15 vjet pas luftës shkatërrimtare të viteve 90, përçarjet etnike nuk duket se janë kapërcyer.

Bisedimet e tejzgjatura me ndërmjetësim nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara për ndryshime kushtetuese që do të thjeshtonin sistemin e ndërlikuar politik dhe do të forconin autoritetet qendrore, u pezulluan në fillim të vitit me shpresën se kompromisi do të ishte më i lehtë pas këtyre zgjedhjeve.

Fushata zgjedhore u karakterizua nga retorika të ashpra, ku kandidatët serbë kërkonin ndarjen e Bosnjes, kroatët theksonin mundësinë e një njësie autonome kroate dhe shumica e kandidatëve të popullatës myslimane boshnjake kërkonin forcimin e autoriteteve qendrore. Këtë theksoi edhe sot, kur hodhi votën, kreu i Partisë Boshnjake për Veprim Demokratik, Bakir Izetbegoviç:

“Vendi është pjekur dhe parashikoj që do të shkojmë në drejtimin e duhur. Besoj që politikanët do ta kenë kuptuar se pas 20 vjet politikash të kësaj natyre, tani populli pret prej tyre që më së fundi ta drejtojnë vendin drejt një të ardhmeje më të mirë”.

Por anketat me votuesit tregojnë se ata kanë mbështetur të njëjtët politikanë. Kjo sinjalizon vazhdimin e të njëjtave politika që e kanë mbajtur peng prej vitesh të ardhmen e Bosnjes.

Bashkimi Evropian ia ka bërë të qartë Bosnjes se nëse dëshiron anëtarësim, duhet të krijojë një qeveri të fortë qendrore, gjë që kundërshtohet me forcë nga serbët.

Përveç zgjedhjeve parlamentare, popullata myslimane dhe kroatët votojnë sot edhe për parlamentet rajonale të 10 komunave në njësinë e tyre administrative, ndërsa serbët do të zgjedhin presidentin e Republikës Serbe të Bosnjes.

XS
SM
MD
LG