Lidhje

15 vjet pas masakrës së Srebrenicës

  • Zëri Amerikës

Dhjetëra mijëra vetë u mblodhën sot në qytetin e Srebrenicës në lindje të Bosnjes për të rivarrosur qindra viktima të masakrës në përvjetorin e mizorisë më të rëndë në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore. Të afërmit u mblodhën sot nën diellin veror, në një fushë të mbushur me arkivolët e 775 viktimave në 15 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Qyteti i Srebrenicës ishte shpallur zonë e sigurtë nga Kombet e Bashkuara gjatë luftës së Bosnjes në vitet ’90. Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjes morën në dorë kontrollin e Srebrenicës dhe brenda pak ditësh ekzekutuan rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan e ka cilësuar këtë masakër si ditën më të errët në historinë e Kombeve të Bashkuara. Më shumë se gjysma e viktimave janë identifikuar dhe tani prehen në varrezat përkujtimore të Potoçarit. Por për të mbijetuarit, procesi i kthimit në normalitet ka qenë i gjatë, i vështirë dhe ende larg përmbushjes së plotë.


15 vjet më parë, Safet Dagiç jetonte në këtë fshat të vogël pranë Srebrenicës. Ai është kthyer sot për të vizituar fshatin së bashku me të shoqen dhe babain. Safeti është ndër banorët më me fat. Shumë nga fqinjët e tij nuk janë më gjallë, viktima të masakrës së Srebrenicës, që konsiderohet si mizoria më e rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Rreth 8 mijë burra e djem myslimanë u ekzekutuan pas rënies së Srebrenicës në duart e forcave serbe 15 vjet më parë.

Safeti arriti të shpëtonte duke u fshehur dhe duke ecur për gjashtë ditë rresht deri sa arriti në Tuzla.

Disa nga fshatrat e boshatisur nga masakrat po kthehen përsëri në jetë. Shtëpitë e djegura po rindërtohen dhe banorët po rivendosen gradualisht. Por jo të gjithë të mbijetuarit e Srebrenicës kanë arritur të kthehen.

82-vjeçari Smajo Smajloviç ka humbur 3 djem në korrik 1995. Ai jeton në një kamp refugjatësh në Mihatoviçi. Njëri u vra kur ra Srebrenica, të tjerët gjatë ikjes nëpër pyje. Për këtë mysliman të Bosnjes, ngushëllimi i vetëm do të ishte kthimi në shtëpinë e tij.

“Do të isha njeriu më i lumtur nëse rindërtohet shtëpia ime. Po të më thonë se po e rindërtojnë dhe mund të kthehem, do të ndjehesha i rilindur”.

15 vjet pas rënies së Srebrenicës, përçarjet enike vazhdojnë të përbëjnë problem në Bosnje. Por shumë banorë, janë faktorët ekonomikë dhe varfëria që bëhen pengesë për rikthimin në normalitet.

Për disa nga ata që humbën njerëzit e dashur nga lufta, dhimbja është bërë pjesë e jetës së përditshme.

Hatixha Mehmedoviç humbi dy djemtë, burrin dhe dy vëllezërit. Djemtë e saj ishin 17 dhe 20 vjeç kur u sulmua Srebrenica. Për 15 vjet ajo ushqente shpresa se ndonjë prej tyre do të gjendej gjallë. Këtë përvjetor ajo varros eshtrat e burrit dhe dy djemve që u zbuluan në një varr masiv.

“Kur vjen korriku, ditët bëhen shumë të rënda. Kur fillojnë funeralet, kur i sjellin trupat nga Potoçari, prisja për fëmijët, por nuk i kishin gjetur. Ishte vështirë të identifikoheshin, pasi ishin shumë të rinj, të pamartuar, pa familje. Deri tani kisha shpresuar se ishin ende gjallë, se mbase dikush i mbante në ndonjë burg. Tani që mësova fatin e tyre, të gjitha shpresat u zhdukën”.

Deri tani 3,647 viktima të masakrës së Srebrenicës janë varrosur në qendrën përkujtimore të Potoçarit. Ky përvjetor i shton këtij numri edhe eshtrat e 775 viktimave të tjera.

Hatixha dhe aktiviste të tjera të shoqatës Nënat e Srebrenicës përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin për ato që ndodhën këtu 15 vjet më parë. Është e vetmja mënyrë, thotë ajo, për të ecur përpara:

“Nuk kërkojmë shumë. Duam drejtësi dhe duam të dimë të vërtetën. Vetëm e vërteta mund të sjellë ripajtim të mirëfilltë”.

Sot, të afërmit e 775 viktimave që u dërguan në banesën e fundit, gjejnë ngushëllim në faktin se e dinë ku ata prehen. Por mbetet ende shumë deri në përmbushjen e drejtësisë dhe zbardhjen e plotë të së vërtetës.

XS
SM
MD
LG