Lidhje

BP deklaron humbje rekord gjatë 3-mujorit të fundit

  • Mil Arsega

Kompania e naftës BP njofti dje se kishte pësuar humbje rekord gjatë 3 mujorit të dytë të këtij viti për shkak të rrjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës. Kjo kompani tha se ka në plan të shesë disa prej pasurive të saj për të mbuluar humbjet dhe për të bërë ndryshime në mënyrët e funksionit të saj. BP konfirmoi gjithashtu ndryshime në nivelet drejtuese, duke filluar me shefin e saj ekzekutiv, Toni Hayward.

Si fytyra publike e katastrofës së naftës së BP-së, Toni Hayward nuk u bë kurrë tërheqës për amerikanët, veçanërisht pas këtyre komenteve.

"Asnjeri nuk do të dëshironte më shumë se unë që kjo çështje të zgjidhej sa më parë. Dua t’i kthehem jetës time normale".

Pas pak javësh, ndërsa rrjedhja e naftës merrte përmasa më të mëdha, zoti Hayward u pa me jahtin e tij në oqean, diçka që zemëroi shumë banorë të Gjirit të Meksikës.

"Nuk mendoj se ai ishte personi i duhur për këtë punë dhe i uroj gjithë të mirat, por ne kemi nevojë për pastrimin e Gjirit nga nafta dhe që t’i kthehemi jetës normalisht," thotë ky banor i Luizianas..

Dje BP njoftoi zëvëndësimin e zotit Hayward me drejtorin menaxhues Robert Dudley, shefi i parë ekzekutiv jo britanik.

Drejtori i BP-së Carl Henric Svanberg mohoi se zëvëndësimi i zotit Hayward kishte të bënte me ndonjë presion politik.

"Toni ka bërë një punë shumë të mirë gjatë 30 vjetëve, përfshirë këtu edhe si shefi ekzekutiv i BP-së. Ai ka qënë në krye të punës së mirë të kompanisë në forma shumë të rëndësishme si edhe në krye të operacioneve pas çarjes së pusit të naftës. Por u bë e qartë si për bordin edhe për Tonin, se për të ardhmen, për të rikthyer fuqinë e kompanisë dhe emrin e saj, ne kishin nevojë për një udhëheqje të re", tha drejtori i BP-së.

Por kompania ka nevojë edhe për kapital të ri. Ajo njoftoi planet për të shitur asete me vlerë prej 30 miliardë dollarësh gjatë 18 muajve të ardhshëm për të mbuluar koston e pastrimit si dhe humbjet rekord prej 17 miliardë dollarësh në 3-mujorin e dytë të vitit.

Analisti i investimeve Howard Wheeldon i kompanisë BGC Partners e cilësoi emërimin e një amerikani në postin e shefit ekzekutiv një hap të mënçur.

"Mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe politkisht i duhur tani për tani. BP-ja po le të kuptohet se nuk do ta largohet nga Amerika. Ajo dëshiron të jetë pjesë e Amerikës. Dhe me një shef ekzekutiv amerikan, mendoj se marrëdhëniet mes BP-së dhe Shteteve të Bashkuara në fakt mund të fillojnë ta rimarrin veten pas një rënieje gjatë muajive të fundit".

Shefi i ardhshëm ekzekutiv i BP-së, Robert Dudley është me origjinë nga shtetet e Gjirit të Meksikës. Ai u zotua se do të bëjë ndryshime të mëdha.

"Nuk ka dyshim se ne do të mësojmë shumë nga ky aksident në Gjirin e Meksikës. Do të mësojmë rreth pajisjeve, njerzve dhe kompanive të ndryshme. Dhe si rezultat, ne do të mësojmë shumë, si vetë kompania por edhe gjithë industria. Jam i sigurtë se do të bëhen ndryshime".

Grupet e mjedisit shpresojnë që ndryshimet të përfshijnë edhe shqyrtimin e përdorimit të energjisë alternativë. Xhon Sauven është drejtor i organizatës Greenpeace:

"Ne duam që BP të bëjë ndryshime domethënëse. Ajo po zëvëndëson shefin ekzekutiv; ne duam që ajo të ndryshojë strategjinë. Ne duam që ajo të shqyrtojë alternativa të tjera dhe të largohet nga zhvillimet e rrezikshme në ujërat e thella të Gjirit të Meksikës, në plazhet e Kanadasë, në Arktik, të zhvillojë karburante më të mastra dhe energji alternativë. BP ka nevojë të ndryshojë strategjinë e vet të investimeve".

Aksionet e BP-së kanë humbur rreth 35 për qind të vlerës, rreth 60 miliardë dollarë, që prej shpërthimit vdekjeprurës, që shkaktoi çarjen e pusit, më 20 prill.

XS
SM
MD
LG