Lidhje

Britania në prag të zgjedhjeve për parlamentin e ri

  • Sonia Pace

Britania në prag të zgjedhjeve për parlamentin e ri

Britania në prag të zgjedhjeve për parlamentin e ri

Të enjten britanikët do të votojnë për paralamentin e ri, i cili pastaj do të formojë qeverinë. Ekonomia, shqetësimet mbi imigracionin dhe çështjet sociale kanë qenë temat kryesore gjatë fushatës zgjedhore. Duket se asnjëra nga tre partitë kryesore nuk do të fitojë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë pa krijuar koalicione me partitë e tjera.

Beteja zgjedhore mes tre partive zhvillohet për 650 vendet e parlamentit dhe për t’i dhënë udhëheqësit të njërës parti postin e kryeministrit.

Kandidatët për kryeministër janë Gordon Brown i Partisë së majtë Laburiste, David Cameron i Partisë Konservatore dhe Nik Kleg i Liberal Demokratëve.

BROWN: “Ne kemi nevojë urgjente ta nxjerrim vendin nga recesioni ekonomik dhe unë synoj ta vazhdoj këtë punë.”

CLEG: “Nese i bëjmë gjërat ndryshe ne mund të ndërtojmë një Britani më të mirë dhe më të fuqishme.”

CAMERON: “Ju mund të zgjidhni një qeveri të re dinamike, e cila do t’i japë drejtim të ri vendit.”

Të tre kandidatët u vunë përballë njëri-tjetrit në debatet e para televizive në Britani. Kjo e ka revolucionarizuar procesin zgjedhor, thotë analisti Patrik Dunleavy, i Universitetit Ekonomik të Londrës.

“Nuk do ta kisha besuar sikur të ma thoje qoftë edhe një ditë para debatit se 10 milionë vetë do të ndiqnin ndonjë pjesë të debatit televiziv prej një orë e gjysmë. Është për t’u çuditur që kaq shumë njerëz kishin interesim të madh për debatet televizive.”

Debatet kanë sjellë liberal demokratin Nick Kleg në qendër të vëmendjes dhe e kanë bërë të paparashikueshme garën zgjedhore. Pas 13 vjetësh në pushtet, duket se votuesit kanë humbur interesin për Partinë Laburiste dhe dukej se Partia rivale Konservatore ishte në avantazh.

“Papritmas zgjedhjet tani kanë kaluar nga parashikimet për humbje të laburistëve dhe fitore të konservatorëve, në zgjedhje më të ndërlikuara, dhe me konkurrencë më të fortë.”

Për kryeministrin Gordon Brown, fushata ka qenë e ngarkuar me probleme, si në këtë debat me një grua:

GRUAJA: “Prej nga vijnë gjithë këta imigrantë të Evropës Lindore?”

BROWN: “Rreth një milion vetë nga Evropa Lindore kanë ardhur këtu dhe një milion britanikë kanë shkuar në Evropë”.

Zoti Brown, pa e ditur se mikrofoni i tij ishte ende i hapur, sapo u nda nga gruaja, e cilësoi atë si “me paragjykime.” Më vonë ai i kërkoi asaj falje, por komentet e tij shkaktuan zhurmë të madhe.

Për shumë votues, imigracioni është çështje delikate. Por ekonomia duket se është çështja kryesore në mendjen e votuesve.

Sipas parashikimeve asnjëra parti politike nuk do të fitojë shumicën e votave dhe koalicioni është mënyra e vetme për të formuar qeverinë. Por, duke pasur parasysh se gara është shumë e fortë, askush nuk dëshiron të japë një parashikim të qartë mbi formën e koalicionit.

XS
SM
MD
LG