Lidhje

Afganistani, tema parësore e politikës së jashtme në zgjedhjet britanike


Të enjten britanikët hedhin votat për qeverinë e re. Me një angazhim të konsiderueshëm ushtarak në Afganistan, zgjedhjet zhvillohen ndërkohë që vazhdon të rritet numri i ushtarëve britanikë të vrarë në luftime dhe ambicjet bërthamore të Iranit mbeten një temë e nxehtë në rendin e ditës. Deri tani rezultati i zgjedhjeve dukej mjaft i sigurtë, por siç mësojmë nga kronika në vazhdim, dalja në skenë e një kandidati të ri mund të ketë ndikim në formën që do të marrë politika e jashtme britanike në të ardhmen:

Tre emra janë në listën e kandidatëve për kryeministrin e ardhshëm britanik. Fituesi do të drejtojë një vend të angazhuar në luftë. Britania ka rreth 10 mijë trupa në Afganistan. Numri i të rënëve po i afrohet 300-ëve.

Megjithë rënien e përkrahjes publike, të tria partitë i përmbahen misionit. Të vetëdijshëm se një luftë e kushtueshme në një vend të largët nuk është e mirëpritur për votuesit, kryeministri aktual, Gordon Brown, këmbëngul se trupat po luftojnë për të garantuar sigurinë e Britanisë:

“Duhet ta themi qartë se nuk mund të lejojmë që terroristët të sigurojnë territor në botë, të cilin ta përdorin si bazë për sulme kundër Britanisë”.

Por anketat tregojnë se zgjedhjet e 6 majit do të sjellin ndryshim në udhëheqje. Kjo ka të ngjarë të detyrojë qeverinë e re të rishqyrtojë strategjinë ndaj Afganistanit.

Aleks Neil është kreu i Programit për Azinë pranë Institutit të Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore:

“Mendoj se do të ketë një analizë të re lidhur me qëndrimin e Britanisë ndaj Pakistanit dhe Afganistanit, por do të ngrihen edhe pyetje të rëndësishme lidhur me të ardhmen e misioneve britanike në këto vende, që ndoshta i kapërcejnë aftësitë e saj”.

Debatet në televizion, një risi kjo për politikën britanike, kanë nxjerrë në pozitë epërsie në këtë garë të fortë, kandidatin e Liberal Demokratëve, Nik Kleg. Për Afganistanin, ai mbështet idenë e një angazhimi të fuqishëm me shtimin e burimeve, ose tërheqje të plotë e të menjëhershme.

Nëse Afganistani shihet si tema aktuale në politikën e jashtme, Irani është sfida afat-gjatë. Gjatë viteve të fundit Britania ka ashpërsuar retorikën, duke e renditur Iranin me vende si Korea e Veriut dhe duke e cilësuar si kundërshtar të mundshëm bërthamor.

Liberal Demokratët e zotit Kleg duan të reduktojnë gradualisht arsenalin bërthamor të Britanisë, por rivalët e tij, përfshirë kryeministrin Braun, thonë se kjo i dërgon Teheranit mesazhin e gabuar.

“Duhet të jemi realistë për rrezikun që na kanoset, nëse kemi përballë Korenë e Veriut, Iranin dhe vende të tjera me armë bërthamore dhe eliminojmë arsenalet tona,” shprehet kryeministri aktual Braun.

“Është për t’u çuditur që thua ‘të jemi realistë’. Hapi i rrezikshëm do të ishte të shpenzonim shuma kolosale, që mund të mos i kemi, në një sistem që pa diskutim nuk është në të mirën tonë në një kohë kur bota po ndryshon, kur ekspertët thonë se ka kërcënime të reja dhe alternativa të reja. Ti kërkon të zhvillosh një analizë, por po përpiqesh të eliminosh çështjen thelbësore të analizës,” thotë kandidati liberal-demokrat Kleg.

“Mendova se nuk do t’i thoja kurrë këto fjalë, por jam dakord me Gordon Brown. Nuk mund ta shtysh për më vonë këtë vendim”, shprehet kandidati i Partisë Konservatore David Cameron.

Mirëkuptimi mund të jetë çelësi i zgjidhjes pas votimeve të së enjtes. Një fitore e ngushtë mund të detyrojë partinë që fiton të hyjë në koalicion. Por a do të donte një qeveri koalicioni, me partner kryesor pacifistët e Liberal Demokrates, të ndryshonte politikën ndaj Iranit?

Mohamed Kamali kryeson Fushatën kundër Veprimeve Ushtarake dhe Sanksioneve ndaj Iranit:

“Për sa i përket temës së Iranit në politikën e jashtme britanike, të tria partitë po ndjekin politika të ndërhyrjes, që na çuan në luftën në Irak, në Afganistan e vende të tjera. Mendoj se edhe Liberal Demokratët, megjithëse shfaqen si më paqësorë, po ndjekin në thelb të njëjtat politika. Nga ana tjetër, ata shqetësohen se përballë konservatorëve apo rivalëve të tjerë, mund të duken më të dobët”.

Tradicionalisht, Britania është krenuar me faktin që, në arenën ndërkombëtare mbante një peshë më të madhe se i takonte madhësisë së vendit apo popullatës. Por aktualisht mbi vendin rëndon barra e një borxhi kombëtar rekord.

Pavarësisht nga ideologjia apo bindjet e tij, udhëheqësi i ardhshëm britanik mund të ballafaqohet me faktin që ekonomia është faktori vendimtar i politikave si të brendshme, edhe të jashtme.

XS
SM
MD
LG