Lidhje

Qeveria e re britanike planifikon kufizime ndaj imigracionit

  • Sela Henesi

Qeveria e re britanike planifikon kufizime ndaj imigracionit

Qeveria e re britanike planifikon kufizime ndaj imigracionit

Qeveria e re britanike është zotuar të vendosë një nivel tavan për numrin e imigrantëve nga vende jashtë kufijve të BE-së që lejohen të futen në Britani. Disa britanikë mendojnë se kjo është mënyra e vetme në përgjigje të mbipopullit. Por siç mësojmë nga reportazhi në vazhdim, ka të tjerë që e shohin prirjen e re si problematike për biznesin britanik si dhe për ekonomitë e disa prej vendeve më të varfra në botë:

Në fjalimin me rastin e hapjes zyrtare të Parlamentit të ri, Mbretëresha Elizabetë njoftoi politikën e re për imigracionin:

“Qeveria ime do të kufizojë numrin e imigrantëve ekonomikë që futen në Britani nga vendet jashtë BE-së”.

Qeveria e re nuk ka vendosur ende shifrën maksimale. Duke pasur parasysh se rreth 7 milionë vetë që s’kanë lindur në Britani jetojnë në këtë vend, qeveria thotë se duhen vendosur kufizime.

Priti Patel, anëtare konservatore e Parlamentit, thotë se qeveria e mëparshme britanike nuk ka bërë sa duhet për të kufizuar dyndjen e imigrantëve. Tani, thotë ajo, kufizimet janë të domosdoshme:

“Të them të drejtën, duhet të ishte bërë me kohë. Imigracioni ka qenë jashtë kontrollit gjatë 13 vjetëve të fundit. Jemi ndeshur me skenare absurde, kur s’e dinim kush dhe sa veta futeshin në vend, apo kush largohej”.

Por Lora Çepëll e Institutit Kërkimor të Politikave Shtetërore thotë se kufizimet nuk janë realiste, pasi nuk i shërbejnë biznesit:

“Nëse kufiri vendoset, ta zëmë në 90 mijë vetë, dhe kjo shifër arrihet në shtator, çfarë do t’u thotë qeveria klubeve të futbollit që duan të blejnë një futbollist si Didier Drogba, pasi të jetë mbushur kuota?”

Ajo thotë se imigrantët i shërbejnë interesit të Britanisë. Ata paguajnë taksa më të larta, thotë ajo dhe kanë përfitime më të kufizuara se britanikët e zakonshëm.

Imigrantët, thotë zonja Chappell, ndihmojnë gjithashtu vendet e tyre duke dërguar kursime që shërbejnë për të ushqyer ekonomitë lokale.

Joyce Newton nga Gana u vendos në Londër 8 vjet më parë. Ajo thotë se paratë që fiton për pak orë në Britani kanë vlerë të madhe për familjen e saj në Ganë:

“Qoftë edhe 20 paund që janë afro 500 mijë cedi në Ganë përbëjnë një shumë të konsiderueshme për të realizuar diçka me vlerë”.

Ajo thotë se paratë që dërgon në vendlindje ndihmojnë për të arsimuar motrat e vëllezërit:

“Kursen pak, dërgon pak në atdhe në mënyrë që familja të mbajë fëmijët e tjerë, të cilët po rriten me një standart më të mirë. Tani ata po arsimohen, pasi arsimi nuk është falas si këtu”.

Qeveria e re britanike thotë se do të përmbushë zotimin e Britanisë për të mbështetur përmes ndihmave vendet më të varfra. Por disa ekspertë thonë se ndihma më e mirë do të ishte të shtohej numri i imigrantëve si Joyce Newton, të cilët dërgojnë çdo vit në vendet e tyre miliarda dollarë nga kursimet.

XS
SM
MD
LG