Lidhje

Kantieri detar Çatam, relike e periudhës së epërsisë detare britanike


Kantieri detar Çatam, relike e periudhës së epërsisë detare britanike
Kantieri detar Çatam, relike e periudhës së epërsisë detare britanike

Për më shumë se 400 vjet, kantieri detar Chatham ka qenë zemra e aktivitetit detar britanik. Kur u mbyll në vitin 1984, mijëra vetë humbën punën dhe kantieri u braktis. Por tani kjo relike e sundimit detar të Britanisë është rikthyer në jetë si një pikë turistike, një qendër informimi dhe një zonë e re biznesi. Në vazhdim një reportazh nga kantieri detar Chatam, i cili i ka dhuruar tavolinën e punës të presidentit amerikan:

Marina Mbretërore Britanike lulëzoi këtu për afro 4 shekuj. Në kantierin detar Chatham në juglindje të Anglisë, ndërtoheshin dhe riparoheshin anije, por edhe çdo gjë tjetër që nevojitej për pajisjen e një anijeje luftarake apo tregtare. Tani ky kantier është nën përkujdesjen e një trusti historik. Admirali në pension Ian Garnet ka në dorë timonin:

“Mendoj se ky kantier është një ndër xhevahirët e kurorës së marinës britanike. Ky është ekzemplari më i mirë i një kantieri nga një epokë kur anijet tona lundronin në gjithë botën”.

Kudo ku shkel ka relike historie. Kjo anije e shpejtë e pagëzuar HMS Gannet dikur mbronte korridoret detare të tregtisë dhe patrullonte ujërat për të kapur anije që transportonin skllevër në shekullin e 19.

Në Chatham është ekspozuar edhe një destrojer i përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, që po riparohet. Brenda kantierit ka edhe një punishte për prodhim litarësh. Ajo ka qenë në prodhim që në shekullin e 18 dhe vazhdon edhe sot të prodhojë produkte që shiten në gjithë botën.
Colin Parr kryeson sindikatën e mjeshtrave të prodhimit të litarit:

“Kjo është punishtja më e vjetër që vazhdon prodhimin e litarit. Ka punishte që bëjnë litar më të shkurtër, por nuk arrijnë prodhimet tona”.

Revolucioni industrial në Britani filloi në kantieret detare. Anijet e para ndërtoheshin në kantiere të hapura, që me kalimin e viteve u mbuluan. Këto mjedise gjigande të mbuluara pasqyrojnë përparimin e kohërave, kur strukturat prej druri u lanë vendin strukturave prej hekuri dhe çeliku. Në këtë kantier u ndërtuan gjithësej mbi 500 anije.

Për të ndërtuar një anije të ngjashme me Gannetin duhen rreth 5 mijë pemë. Kur një anije e vjetër riparohet ose nxirret nga përdorimi, rripat e drunjtë mund të riciklohen. Një pjesë e këtyre copave prej druri, përfshirë një pllakë druri nga kjo anije, përfunduan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Presidenti Barak Obama shihet këtu i ulur në tavolinën e punës, një dhuratë që iu ofrua Amerikës në vitin 1880, prodhuar nga copa druri në këtë kantier. Në vitin 2009, tavolinës iu shtua një mbajtëse për stilograf, prodhuar nga Kris Jones, shefi i punimeve në kantier.

“Kishim një copë dru që kishte mbetur në kantier, nga një anije që po riparonim. Copa e drurit kishte një zgavër nga njëra anë, tamam si maja e penës”.

Kantieri u mbyll në vitin 1984, duke nxjerrë mijëra vetë nga puna. Por tani është rikthyer në jetë si qendër informimi dhe turizmi:

“Po rritet interesimi me ritme të jashtëzakonshme. Kemi rreth 400 vetë që jetojnë në kantier dhe mbi 1 mijë vetë që punojnë në biznese të ndryshme brenda perimetrit dhe kjo shifër rritet vazhdimisht”.

Një nëndetëse për Marinën Kanadeze ishte objekti i fundit i ndërtuar këtu. Ajo u hodh në det në vitin 1966. Një tjetër është kthyer në kantierin Chatham dhe përdoret për udhëtime turistike. Organizatorët këtu po përpiqen të sigurojnë statusin e një objekti të trashëgimisë kulturore nga OKB-ja. Ky kantier i pasur me relike të së kaluarës shpreson se ka përpara një të ardhme të ndritur.

XS
SM
MD
LG