Lidhje

Buçpapaj: Gjendja e medias në Shqipëri rrezikon demokracinë


Buçpapaj: Gjendja e medias në Shqipëri rrezikon demokracinë
Buçpapaj: Gjendja e medias në Shqipëri rrezikon demokracinë

Gazetarja Elida Buçpapaj e ka lidhur jetën e saj me zhvillimet në Shqipëri. Gjatë karrierës së saj 20 vjeçare, si gazetare në Shqipëri, por edhe gjatë jetës në imigracion, ajo ka ndjekur me vëmendje zhvillimet sociale e politike në vend, duke kontribuuar me opinione e komente mbi ngjarjet dhe prirjet kryesore. Tani me banim në Zvicër ajo vazhdon të kontribuojë përmes botimeve në platformën elektronike VOAL që administron bashkë me të shoqin. Në një bisedë me kolegen Ardita Simiçia, zonja Buçpapaj flet me shqetësim për gjendjen e medias në Shqipëri, duke e cilësuar si një situatë që rrezikon vetë mbarëvatjen e demokracisë në vend:

Gazetaria shqiptare ka njohur një zhvillim të madh gjatë 20 vjetëve që pas ndryshimit të regjimit, pohon zonja Elida Buçpapaj. Zhvillimet teknologjike i kanë hapur rrugën shfaqjes së një larmie grupesh mediatike, duke u ofruar shqiptarëve platforma konkurrente për informim. Problemi qëndron, shpjegon gazetarja, në faktin që cilësia e mbulimit të ngjarjeve është shumë e dobët në krahasim me këtë zhvillim në teknologji:

“Teknikisht, janë krijuar kushtet në mënyrë të mrekullueshme për zhvillimin e fjalës së lirë, për zhvillimin e shtypit të lirë. Por ndërkohë nëse do të shikojmë anën cilësore apo misionin që kanë këto media dhe misionin që ka shtypi i lirë, do të vëmë re që lënë shumë për të dëshëruar”.

Zonja Buçpapaj ndalet tek problemet kryesore të shtypit shqiptar sot, duke i cilësuar si pasqyrë e sfidave me të cilat ndeshen institucionet demokratike në Shqipëri:

"Po t’i shikojmë mediat në Shqipëri, konstatojmë lehtësisht se janë në duart e një oligarkie mediatike, e cila në vend që të shprehë interesat e vendit, apo të operojë në pajtim me interesat e vendit dhe të shoqërisë, kjo oligarki përcakton politikën e pasqyrimit të realitetit në pajtim me interesa të caktuara politike dhe ekonomike”.

Kjo situatë, vazhdon gazetarja ka dëmtuar përmbushjen e misionit që ka shtypi për t’i shërbyer të vërtetës dhe e ka kthyer atë në pjesë të luftës mes partive politike në Shqipëri, qëllimi i të cilave është për të marrë, apo për të mbajtur dhe zgjeruar pushtetin.

"Oligarkia mediatike ka prodhuar një grup personash, të cilët janë të privilegjuar. Këta janë një grup opinionistësh të cilët kanë ekskluzivitetin dhe kanë monopolizuar opinionin publik. Në fakt ata nuk janë zëdhënës të opinionit publik, ata janë zëdhënës të padronëve të tyre. Po të hapësh shtypit emrat e tyre dhe shkrimet e tyre i gjen në 2-3 gazeta të përditshme. Po të hapësh televizoret ti ata do t’i gjesh patjetër ose tek njëri televizion ose tek televizioni tjetër. Ndërkohë gazetarët kanë probleme ekzistence aty, sepse ata ose duhet t’i shërbejnë politikës, ose duhet t’u shërbejnë oligarkëve ose duhet të mbeten pa punë”.

Në këtë lojë nteresash politike e ekonomike, viktima e parë ka qenë e vërteta, pasi siç shpjegon zonja Buçpapaj, problemet madhore me të cilat ndeshet Shqipëria janë në një mënyrë pasojë e klasës politike dhe e grupeve të interesave që kontrollojnë politikën të cilët përpiqen me çdo kusht të pengojnë ndriçimin e së vërtetës:

“Të them të drejtën, gazetaria investigative gati mungon tërësisht atje. Në Shqipëri ka korrupsion, ka krim të organizuar, ka skandale politike dhe këto mbeten komplet gati të pandriçuara. Sepse gazetarët janë të censuruar nga politika, nga interesat klienteliste, ose janë të autocensuruar nga pasojat që mund të kenë nëse ata hapin një problem, do të investigojnë një skandal”.

Problemi i presionit mbi median, i interesave të ngushta që kontrollojnë punën e gazetarit nuk përbën shqetësim thjesht për nivelin e profesionalizmit në media, por për mbarëvajtjen e përgjithshme të shoqërisë shqiptare, thotë zonja Buçpapaj, dhe duhet parë si një sfidë ndaj demokracisë:

“Ky është një problem shumë i madh dhe në qoftë se do të vazhdohet me këtë, në Shqipëri rrezikon sistemi, rrezikon demokracia në Shqipëri”.

Pikërisht si një sfidë e gjithë shoqërisë, edhe zgjidhja duhet të gjendet me një angazhim nga mbarë shoqëria dhe aktorë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Ajo shpreson që edhe qëndrimi i Perëndimit do të jetë më serioz ndaj këtij problemi në Shqipëri:

“Kjo kërkon një angazhim kombëtar, ku të përfshihet elita, të përfshihet klasa politike, të ketë një gjithëpërfshirje dhe kjo të përbëjë një shqetësim kombëtar sepse rrezikon sistemin dhe rrezikohet e ardhmja”. 5:12 “Unë mendoj gjithmonë se Perëndimi duhet t’i kërkojë sot kushte Shqipërisë, duhet ta vërë para detyrimeve. Klasa politike duhet të përmbushë detyrimet, ose shoqëria shqiptare pastaj duhet t’i kërkojë që të largohen, që t’ua lënë vendin të rinjve”.

Megjithëse është larguar prej 16 vjetësh nga Shqipëria, gazetarja Elida Buçpapaj vazhdon përpjekjet që të sjellë një zë alternativ, një platformë informimi mbi ngjarjet dhe prirjet në Shqipëri përmes faqes së saj elektronike.

XS
SM
MD
LG