Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve miraton projekt buxhetin republikan për 2012

  • Lisa Ferdinando

Dhoma e Përfaqësuesve miraton projekt buxhetin republikan për 2012

Dhoma e Përfaqësuesve miraton projekt buxhetin republikan për 2012

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2012, të cilin republikanët e përshëndetën si një plan që u kursen para taksapaguesve dhe reformon programet qeveritare për shëndetin dhe asistencë që u ofrohen amerikanëve të varfër dhe atyre të moshuar. Por demokratët, përfshirë presidentin Barak Obama, kanë shprehur kundërshtimet e tyre ndaj këtij plani të propozuar nga republikanët, duke thenë se shkatërron programin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit dhe dobëson shumë programe të tjera të ndihmës sociale.

Një ditë pas miratimit të buxhetit për muajt që i mbeten vitit fiskal 2011, republikanët dhe demokratët u përplasën sërish lidhur me shpenzimet federale për vitin tjetër fiskal. Porpozimi u mbështet në masë nga republikanët, por u kundërshtua prerazi nga demokratët duke përfunduar me 235 vota pro dhe 193 kundër.

Shtëpia e Bardhë e kritikoi planin si një propozim që ia ngarkon barrën e borxhit atyre që e kanë më të vështirë ta përballojnë, i jep fund programit shëndetësor për të moshuarit në formën e tij aktuale, ndërkohë që dyfishon koston e kujdesit shëndetësor për këtë segment të popullatës në mënyrë që të shpërblejë “me më shumë se një trilion dollarë shkurtime taksash milionerët dhe miliarderët”, siç shprehet Shtëpia e Bardhë.

Ligjvënësi republikan Pol Rajan tha se plani që kishte propozuar ofron kursime dhe i shpëton nga falimentimi programet sociale për të moshuarit dhe të varfrit, duke krijuar gjithashtu mundësi për të shlyer borxhin kombëtar.

"Plani sjell rritje ekonomike. Nuk lejon rritje masive taksash. Plani mbron nga falimentimi programet në ndihmë të të moshuarve dhe të varfërve. Ky plan përmbush misionin për siguri shëndetësore dhe pensioni për të gjithë amerikanët, duke garantuar se ata që dalin në pension ose janë në prag të pensionit do të mund të marrin atë që u ishte premtuar. Plani gjithashtu i reformon këto programe në mënyrë që të jenë efektive për brezat e ardhshëm”.

Por demokratët e analizojnë krejt ndryshe propozimin. Kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nensi Pelozi tha se demokratët kanë ofruar një plan më të mirë alternativ.

"Projekt-buxheti republikan shkel premtimin që ky vend u ka bërë të moshuarve, se pasi kanë punuar gjithë jetën do të kenë mundësi t’i varin shpresat në programet qeveritare. Por plani i republikanëve u jep fund këtyre programeve në formën aktuale dhe redukton ndjeshëm asistencën për të moshuarit. Propozimi i detyron të moshuarit të blejnë sigurime shëndetësore nga kompani private, ku do u duhet të paguajnë mesatarisht 2 herë më shumë. Për disa prej tyre kjo shumë mund të arrijë në 20000 dollarë”.

Republikanët thonë se plani i tyre synon të kursejë të paktën 5 trilionë dollarë nga buxheti federal gjatë dekadës së ardhshme.

Shpenzimet federale pritet të vazhdojnë të dominojnë debatin në Uashington, ndërkohë që plani republikan nuk ka shanse të miratohet në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Kongresi duhet të vendosë si do të reagojë tani ndaj faktit që borxhi kombëtar po i afrohet me shpejtësi nivelit të tij maksimal të lejueshëm.

XS
SM
MD
LG