Lidhje

Gara në Kaliforni: 2 kandidatë me origjinë imigrante konkurojnë në distriktin Orange

  • Majk O'Sallivën

Gara në Kaliforni: 2 kandidatë me origjinë imigrante konkurojnë në distriktin Orange

Gara në Kaliforni: 2 kandidatë me origjinë imigrante konkurojnë në distriktin Orange

Një prej garave më të nxehta për në Kongresin amerikan është ajo mes demokrates hispanike, Loreta Sançez, aktualisht anëtare e Kongresit, dhe republikanit Van Tran, i cili është imigrant vietnamezo-amerikan. Të dy kandidatët po përpiqen të mobilizojnë mbështetësit në komunitetet e tyre, ndërsa e shtrijnë fushatën për të tërhequr edhe votues të tjerë.

Vullnetarë në Kaliforni dhe shtete të tjera të perëndimit amerikan po regjistrojnë votuesit latinë para zgjedhjeve. Në distriktin Orange të Kalifornisë, anëtarja e kongresit, Loreta Sançez, dëshiron të mobilizojë hispanikët, ndërsa kërkon të marrë edhe vota të tjera. Shumica e latinëve në Kaliforni janë regjistruar si demokratë. Sançez është vajzë e imigrantëve meksikanë. Në mitingun e saj të funit ishte edhe ish presidenti Bill Klinton, i cili bëri fushatë për të.

Anëtarja e kongresit Sançez, e cila ka shërbyer për gati 14 vjet në Dhomën e Pёrfaqësuesve të Kongresit amerikan, është mbërthyer në një garë të ngushtë me një imigrant vietnamez, republikanin Van Tran, i cili gëzon mbështetjen e figurave të rëndësishme republikane, mes tyre ish guvernatorja e Alaskës dhe ish kandidatja për nën-presidente, Serah Pejllin. Tran ka lindur në Vietnam dhe ka një mbështetje të madhe mes komunitetit vietnamez në Amerikë dhe mes republikanëve të tjerë.

Distrikti Orange ka pësuar një ndryshim demografik në dekadat e fundit. Dikur kryesisht konservator, me banorë republikanë dhe të bardhë, ky distrikt ka përjetuar një fluks imigrantësh. Aty ndodhet një prej lagjeve më të mëdha etnike e njohur si Saigoni i Vogël, dhe aktualisht disa qytete, mes tyre edhe më i madhi Santa Ana, kanë një popullsi kryesisht latine.

Zoti Tran thotë se i kupton shqetësimet e të dy grupeve.

“Unë kam më shumë gjëra të përbashkëta si brez i parë imigrantësh në këtë vend me komunitetin e latinëve se sa kundërshtarja ime. Unë i kuptoj vështirësitë dhe sfidat e procesit të asimilimit, hendekun kulturor dhe atë gjuhësor, si dhe sfidat e familjeve, që duan të përshtaten dhe të jenë të vlefshme për vendin e tyre të ri”.

Demokratja Sançez thotë se ajo i tërheq votuesit me rezultatet e punës së saj.

“Vietnamezo-amerikanët e këtushëm kanë të njëjtat probleme si edhe pjesa tjetër e komunitetit. Ata kanë biznese të vogla, nuk kanë sigurim shëndetësor për njerëzit e tyre, nuk mund të shpenzojnë shumë para, dhe disa prej tyre kanë mbyllur biznezet. Unë kam folur me ta rreth 16 ligjeve, që ne kemi miratuar në Kongres lidhur me bizneset e vogla”.

Të dyja palët thonë se në një kohë të vështirë për zgjedhësit, ata duhet të jenë të mobilizuar për të fituar dhe të përhapin entuziazëm në ditët e mbetura para zgjedhjeve të 2 nëntorit.

XS
SM
MD
LG