Lidhje

Prirjet e Gjelbra: Program ambicioz i Kongresit amerikan


Prirjet e Gjelbra: Program ambicioz i Kongresit amerikan
Prirjet e Gjelbra: Program ambicioz i Kongresit amerikan

Në vitin 2007, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan u angazhua që të bëhej një institucion i gjelbër, duke ndërmarrë nismën “Green the Capitol”, “Ta bëjmë Kapitolin të Gjelbër”, synimi i të cilës është pakësimi i konsumit të energjisë me 50% brenda një dekade. Në rubrikën e përjavëshme “Prirjet e Gjelbra”, kolegia Isabela Çoçoli na njeh me këtë program ambicioz për eliminimin e gazit karbonik në praktikën e përditëshme.

“Green the Capitol” parashikon një serë nismash për mjedisin për arritjen e synimit të saj të gjelbër deri në vitin 2017. Programi filloi me një ndryshim të thjeshtë, siç janë prodhimet ushqimore më miqësore për mjedisin, burimet e rinovueshme të energjisë dhe pakësimi i ndjeshëm i qymyrgurit për prodhimin e energjisë. Këto janë disa nga angazhimet e gjelbra, shpjegon Allison Rogers, menaxhere e programit “Green the Capitol”.

“Para sëgjithash, i gjithë elektriciteti që ne blejmë është 100% i gjelbër. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nenci Pellosi, e udhëzoi arkitektin e Kapitolit që të përdorë vetëm gaz natyror për centralin e Kapitolit, duke zëvendësuar qymyrgurin. Që prej atëhere i gjithë Kapitoli është duke përdorur gaz natyror”.

Dhoma e Përfaqësuesve, e cila përdor gaz natyror për ngrohje dhe ftohje të ndërtesave të saj, ka instaluar drita që harxhojnë më pak energji për të pakësuar konsumin me 1.1 milionë kilovatorë.


“Kjo përfshin zëvendësimin e llampave me filament në llampa fluoreshente, si dhe ndriçimin e kupolës së Kapitolit. Ne sapo kemi përfunduar projektin e ndriçimit dhe kur ai të vihet në zbatim, do të kursejë 70 përqind nga shpenzimet e energjisë elektrike çdo vit”.

Dhoma e Përfaqësuesve ka gjetur edhe një mënyrë më të mirë për të hedhjen e mbeturinave, në mënyrë që restoranti i saj të jetë me mbetje zero. Ajo hidhte mbeturinat e rreth 240 mijë porcioneve ushqimore çdo muaj, që të gjitha të shërbyera në pjata plastike ose bukëpeshku. Por sot taset, pjatat, picetat dhe lugët, pirunjtë e thikat janë nga materiale të biodegradueshme.

Këtu çdo gjë është e coptueshme, edhe kjo shishe e gjelbër uji. Në këtë mjedis, në anë të kuzhinës, ndahen mbeturinat ushqimore nga enët e biodegradueshme dhe pastaj hidhen në këtë makinë për t’u thërmuar që të zënë pothuajse gjysmën e vëllimit të tyre.

Vitin e kaluar, restoranti dërgoi rreth 900 ton mbetje në objektet e procesimit në vend që t’i groposte në fushat plehrave. Në Dhomën e Përfaqësuesve është duke u ndjekur praktika e riciklimit 100%, nga enët deri tek mobiljet.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka provuar tashmë se pakësimi i çlirimit të gazit karbonik në punën e saj të përditëshme është i realizueshëm. Kongresi amerikan po udhëheq me shembullin e tij, duke i dërguar kështu një mesazh të qartë gjithë vendit, nga sektori privat tek qeveritë e shteteve, për zbatimin e sukseshëm të pratikave të gjelbra.

XS
SM
MD
LG