Lidhje

Kongresi amerikan dhe funksionet e Bankës Qendrore


Kongresi amerikan dhe funksionet e Bankës Qendrore
Kongresi amerikan dhe funksionet e Bankës Qendrore

Legjislacioni i propozuar këtë javë nga senatori amerikan Kristofer Dod, mund të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si institucionet financiare ushtrojnë aktivitetin e tyre. Zoti Dod, Kryetari demokrat i Komisionit të Senatit për sistemin bankar, tha se projektligji zgjeron rolin e Bankës Qendrore për të ndërhyrë në politikat e institucioneve të mëdha financiare dhe krijon një agjenci të re për mbrojtjen e konsumatorit. Por disa analistë parashikojnë se kalimi i projektligjit do të përballet me një betejë të ashpër.

Demokratët po përparojnë me atë që e quajnë “reforma financiare më gjithëpërfshirëse që nga Depresioni i Madh”.

Senatori Kristofer Dodd, i cili ka ideuar ligjin, thotë se kriza financiare që çoi në falimentimin e disa prej firmave më të mëdha amerikane, dhe ndërhyrja e qeverisë për t’i shpëtuar, tregon se rregullat aktuale nuk janë të mjaftueshme.

“Ne mësuam se ne jemi në kushte të tilla sot, sepse ne nuk arritëm të kryenim ndërhyrjen e duhur, ose sepse rregullatorët e përdorur nuk kryen punën e tyre”.

Z. Dodd tha se dështimi ka dëmtuar më së shumti klasën e mesme amerikane.

“Dëmi më i madh deri tani u është bërë miliona familjeve amerikane që nuk kanë faj. 8,4 milion vende pune janë humbur dhe niveli i papunësisë mbetet thuajse i dyfishuar”.


Për të shmangur një krizë të ardhshme, senatori Dodd ka propozuar një zgjerim të autoritetit të Rezervës Federale. Krahas shtimit të kompetencave, propozimi i jep Rezervës Federale fuqinë që të ndërhyjë në institucionet e mëdha të konsideruara “shumë të mëdha për të falimentuar”. Gjithashtu ky ligj krijon një agjenci të re për mbrojtjen e konsumatorit, e cila do të miratojë format e investimeve.

Kornelis Hurlei mga fakulteti i drejtësisë në universitetin e Bostonit thotë:

“Dhe si përfundim, bankierët dhe financierët ende do të kenë fuqinë për të krijuar forma investimi që askush nuk do t’i kuptojë”.

Lobistët e sistemit bankar kundërshtojnë duke thënë se ky ligj do të godasë familjet dhe bizneset sepse ai detyron bankat që të shtrëngojnë kreditin. Por specialisti i bankave në Institutin Brookings, Doug Elliot thotë se kjo prirje, do të shtojë sigurinë.

“Kushtoi shumë shtrenjtë që të pastrohej sistemi mbas krizës; ne kemi nevojë për siguri, edhe nëse duhet që të shtrenjtojmë dhënien e kredive”.

Senatori republikan Bob Corker, pjesmarrës në negociatat dypartiake përpara se bisedimet të dështonin, tha se plani do të përballet me kundërshtime të ashpra në Senat. Mes shqetësimeve të ngritura nga Republikanët është ai që organi vëzhgues i klientëve të rinj do të ketë shumë autoritet për të ngrirë investinet.

Në një njoftim të nxjerrë ditën e hënë, Presidenti Obama premtoi se do të punonte me Senatorin Dodd për të shmangur çdo përpjekje për të dobësuar projketligjin.

Senatori Dodd ka premtuar se rregullat e reja financiare, do të miratohen këtë vit.

XS
SM
MD
LG