Lidhje

Në pritje të dasmës së shekullit

  • Zëri Amerikës

Mbi 500 të ftuar po mblidhen gradualisht në qytetin e vogël Rhinebeck të Nju Jorkut, ku do të zhvillohet sonte dasma e vajzës së ish-presidentit Bill Klinton dhe Sekretares së Shtetit Hillari Klinton.

Ceremonia e martesës së Chelsey Clinton me Mark Mezvinsky është një ndër dasmat më të përfolura dhe të shumë-pritura prej vitesh dhe po cilësohet nga disa si dasma e shekullit. Është pa diskutim ceremonia më e bujshme që ka parë ndonjëherë ky komunitet i qetë në luginën e lumit Hudson.

Ashtu si në vitet e fëmijërisë, kur prindërit e saj e mbronin me fanatizëm jetën private të vajzës së tyre, edhe në vitet e mëpashme Chelsey ka vazhduar të tregohet shumë e rezervuar në daljet në publik dhe dasma e saj, mbetet ende një mister. Nuk dihet nëse ceremonia do të jetë e krishterë, në përputhje me besimin e Chelsey-it, apo hebraike në përputhje me fenë hebre të dhëndrit. Nuk dihet ende se cilin stilist ka zgjedhur Chelsey për fustanin e dasmës, nuk dihet se çfarë do të serviret. Por dihet me siguri se një ceremoni e tillë madhështore do të kushtojë nga 3 deri në 5 milionë dollarë.

Flitet se ndër të ftuarit është edhe prezantuesja e njohur e ekranit amerikan Oprah Winfrey, regjisori i njohur Steven Spielberg dhe këngëtarja Barbra Streisand.

XS
SM
MD
LG