Lidhje

Inxhinierët finalizojnë planet për nxjerrjen e minatorëve të bllokuar kilianë


Inxhinierët finalizojnë planet për nxjerrjen e minatorëve të bllokuar kilianë
Inxhinierët finalizojnë planet për nxjerrjen e minatorëve të bllokuar kilianë

Ministri kilian i Burimeve Natyrore thotë se ka gjasa që operacionet për nxjerrjen e 33 minatorëve të bllokuar nëntokë të fillojnë të mërkurën. Minatorët do të nxirren një nga një me një kapsulë shpëtimi përmes galerisë së re. Minatorët presin të bllokuar nëntokë që nga 5 gushti kur u shemb një pjesë e minierës. Tani preokupimi i vetëm i ekipeve të specializuara është të realizojnë një operacion me siguri të lartë teknike për të mos rrezikuar minatorët.

Ekipet e specializuara kanë piketuar 96 metra gjatësi të galerisë që kanë nevojë për përforcim me shufra metali. Pjesa tjetër e galerisë është shkëmb i ekspozuar, që sipas specialistëve do të rezistojë gjatë operacioneve për nxjerrjen e minatorëve.

Veshja e mureve të galerisë me shufra metali bëhet për të mbrojtur minatorët gjatë nxjerrjes së tyre nga nëntoka me kapsulën e shpëtimit.

“E kemi thënë vazhdimisht se më kryesorja për ne është t’i nxjerrim minatorët shëndoshë e mirë dhe pa dyshim sa më parë që të jetë e mundur. Shpresoj që t’i nxjerrim javën e ardhshme, por nuk ka rëndësi nëse të martën, të mërkurën apo të enjten," thotë Presidenti i Kilit, Sebastian Pinjera.

Ministri i Burimeve Natyrore Lorens Golborn shprehet optimist se plani bazohet në një analizë të hollësishme dhe se janë marrë parasysh të gjitha problemet e mundshme:

“Plani i shpëtimit u është shpjeguar disa herë ekipeve dhe minatorëve. Urdhëri përfundimtar do të jepet nga ekipet e shpëtimit dhe mund të ndryshojë në bazë të rrethanave. Sipas parashikimeve, minatorët më të aftë fizikisht do të dalin të parët, më pas ata që kanë probleme shëndeti dhe në fund ata që janë në gjendje më të mirë shëndetësore. Do të duhen 48 orë për të realizuar operacionin. Gjatë kësaj kohe, askush nuk mund të flerë apo të pushojë, prandaj ata që mbeten në fund duhet të jenë më të fuqishmit”.

Pranë galerisë së shpëtimit presin prej disa javësh familjet e minatorëve të bllokuar. Liliana Ramirez, bashkëshortja e minatorit Mario Ramirez i shkruan të shoqit se sa ishte gëzuar kur mësoi se inxhinierët kishin hapur plotësisht galerinë e shpëtimit:

“Po i shkruaj tani tim shoqi se jemi shumë të gëzuar që përfundoi shpimi. Nuk mund ta imagjinoj si janë ndjerë ata kur u ça tavani i galerisë”.

Sipas planit, kur minatorët të nxirren në sipërfaqe, fillimisht do të dërgohen në një spital fushor, ku do të takohen shkurtimisht me familjet. Pastaj do të dërgohen me helikopter në spitalin rajonal në Copiapo, ku është krijuar një pavion me 33 shtretër në pritje të tyre.

XS
SM
MD
LG