Lidhje

Makina personale, një simbol statusi dhe individualiteti në Kinë

  • Stefani Ho
  • Zëri Amerikës

Makina personale, një simbol statusi dhe individualiteti në Kinë

Makina personale, një simbol statusi dhe individualiteti në Kinë

Ndërsa ekonomia e Kinës zhvillohet dhe rrogat rriten gjithnjë e më shumë, banorët e qyteteve e shikojnë të nevojshme të lëvizin me makinë, e cila është bërë symbol i individualitetit dhe lirisë.

Kinezët gjithnjë e më shumë po jepen pas makinave. Në një dyqan makinash, vijnë gjithnjë e më shumë njerëz dhe shumë prej tyre i blejnë ato.

Alice Wu është redaktore në një faqe kineze Interneti. Ajo shkon në punë me metro, por është e sigurt se mund ta shkurtojë kohën vajtje-ardhje në punë në se nget makinën.

"Tani më merr 3 orë të shkoj në punë. Nëse ngas makinën, do të më marrte 2 orë, pra do të kurseja shumë kohë".

The Asian Games Village Automobile Exchange është dyqani më i madh i shitjes së makinave në Pekin. Menaxheri i dyqanit Guo Yong thotë se aty shiten më shumë se 2 mijë makina në javë.

"Konsumatorët kinezë e kanë tani më të lehtë të blejnë makinë. Në të kaluarën atyre u duhej të punonin disa vjet para se të përballonin çmimin e një makine. Tani brenda një viti, ose edhe 6 muajsh, konsumatorët kinezë mund të blejnë një makinë të re e të lirë".

Dalja në treg e makinave më të lira të prodhimit kinez si Chery dhe BYD do të thotë se më shumë kinezë mund ta përballojnë ekonomikisht blerjen e makinës.

Guo Liang ka dashur të blejë makinë për rreth 10 vjet dhe do të jetë i pari në familjen e tij që ka makinë. Atë nuk e shkurajon trafiku i rënduar i Pekinit.

"Nëse trafiku është shumë i ngarkuar, atëhere do ta përdor makinën për qejf ose për festa me familjen".

Zhang Menxin punon në Pekin, por është nga Xi'an, mbi 900 kilometra larg.

"Me rastin e vitit të ri kinez, ne marrim fëmijën tonë dhe shkojmë në shtëpi. Treni nuk është shumë i përshtatshëm, madje është shumë vështirë të gjesh bileta. Nëse do të kemi makinën tonë, mund të shkojnë në Xi'an sa herë që duam".

Specialisti i transportit pranë Bankës Botërore Shomik Mendhiratta thotë se makina është diçka që njerëzit e çdo shoqërie dëshirojnë ta kenë.

"Kur kanë makinë, njerëzit ndjehen se janë bërë pjesë e klasës së mesme. Pronësia e makinës shoqërohet me një status të lartë. Ёshtë diçka shumë e mirë, kur kjo të ka munguar më parë. Makina të mundëson lëvizjen e lirë dhe në çdo kohë".

Dhe siç thekson Alice Wu, për femrat e reja të brezit të saj, makina gjithashtu mund të ndihmojë që ta bëjë një të dashur më tërheqës.

"Në përgjithësi, nuk dua t’ia di nëse i dashuri im ka apo nuk ka makinë, por kjo do të ishte një plus".

XS
SM
MD
LG