Lidhje

Sfidat e Kinës në përpjekjet për të stimuluar konsumin

  • Heda Bajron

Ndërsa eksportet kineze u rritën 44 përqind në qershor krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë, ekonomistët po i bëjnë thirrje Pekinit të pakësojë mbështetjen tek eksportet dhe të stimulojë konsumin e brendshëm për të ndihmuar në ribalancimin e ekonomisë globale. Disa ekonomistë thonë se kriza e borxhit në Evropë mund të shtojë presionin mbi Kinën për tu mbështetur më pak tek të ardhurat nga eksportet dhe më shumë në konsumin e brendshëm.

Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregëtar i Kinës, por rënia e vlerës së euros mund të shtyjë konsumatorët evropianë të blejnë më pak mallra importi. Përveç kësaj, një huan i fortë po i bën produktet kineze më të shtrenjta jashtë vendit.

Kjo mund të dëmtojë ekonominë e Kinës e cila mbështetet fuqishëm në eksportet për rritjen. Për të pakësuar prekshmërinë dhe për të ndihmuar ekonominë globale, ekonomistët, organizata financiare ndërkombëtare, zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë thonë se Kina duhet të inkurajojë më shumë konsumin e brendshëm. Glenn Maguire, një ekonomist në Hong Kong për bankën franceze Societe Generale thotë se Kina është përpjekur ta bëjë një gjë të tillë.

"Kina ka folur për nevojën e ribalancimit përmes konsumit gjatë dy planeve të fundit pesëvjeçare por nuk ka arritur ta realizojë këtë objektiv".

Vitin e kaluar, për të ndihmuar ekonominë nga rënia e kërkesës për eksporte për shkak të krizës financiare globale, qeveria kineze u dha kupona familjeve për të blerë pajisje elektrike si frigoriferë dhe lavatriçe. Qeveria ngriti gjithashtu pensionet për punonjësit shtetëror.

Këto hapa rritën konsumin e brendshëm, por jo aq sa të ndryshonin tendencën nga një ekonomi që varet nga eksportet në një që udhëhiqet nga konsumi. Oliver Blanchard, ekonomist i lartë në Fondin Monetar Ndërkombëtar thotë se largimi nga një ekonomi që mbështetet tek eksportet nuk është i lehtë.

"Kjo do të kërkonte një numër masash strukturore dhe ndoshta një vlerësim të monedhës së tyre për të rritur konsumin e brendshëm".

Kina lehtësoi kontrollin mbi normën e shkëmbimit të monedhës së saj muajin e kaluar, në një lëvizje që synonte të shmangte pakënaqësitë nga partnerët e saj tregëtar se ka mbajtur artificialisht eksportet e saj të lira me një huan të dobët. Një huan i fortë rrit mundësinë e konsumatorëve kinez për të blerë mallra importi. Pagat po rriten gjithashtu në Kinë, por zoti Maguire i Societe General thotë se kjo ka patur pak ndikim në ekonominë në tërësi.

"Me rritjen e pagave punëtorët e thjeshtë kinez nuk po vrapojnë për të blerë BMV, që janë bërë 15 përqind më të lira për shkak të rënies së vlerës së euros. Ajo që po sjell rritja e pagave është një farë rritje të blerjeve të ushqimeve, veshjeve dhe pajisjeve shtëpiake që prodhohen në vend. Pra shohim një farë ribalancimi të konsumit por është shumë shumë i ulët".

Në aspektin afatgjatë, ekonomistët thonë se për të ribalancuar ekonominë e saj, Kina ka nevojë të jap shërbime sociale si kujdes të përballueshëm shëndetësor dhe arsim. Kjo do ti lejonte njerëzit të shpenzonin më shumë dhe të pakësonin nevojën për të kursyer aq shumë.

XS
SM
MD
LG