Lidhje

127 të vdekur, 1300 të humbur nga rrëshqitja e dheut në Kinë

  • Zëri Amerikës

Ekipet e shpëtimit në zonën veriperëndimore të Kinës po kërkojnë për të mbijetuar nga rrëshqitja e dheut që kanë lënë të paktën 127 të vdekur.

Zyrtarët thonë se 1300 vetë figurojnë të humbur, në një zonë të provincës veriperëndimore Gansu dhe ekipet e shpëtimit po punojnë pa pushim për t’i gjetur ata. Zona është e populluar kryesisht nga bujq e blegtorë tibetianë.

Agjencia kineze e lajmeve, Hsinhua, njoftoi se rrëshqitjet e dheut janë shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë marrë me vete baltë dhe gurë, duke goditur zonat e banuara rrëzë kodrave, kur banorët flinin natën e së shtunës dhe të djelën herët në mëngjes. Të paktën një fshat u mbulua i gjithi nga ujrat dhe dheu.

Kryeministri i Kinës, Uen Gjiabao shkoi dje në Gansu për të parë zonën e shkatërruar nga helikopteri dhe pastaj u takua me punonjësit e ekipeve të shpëtimit që përpiqeshin të shpëtonin njerëzit e zënë nën ndërtesa, baltë dhe mbeturina.

Autoritetet thonë se dalja nga shtrati e Lumit Bailong përmbyti gjysmën e qarkut Zhokju dhe rreth 45 mijë banorë janë evakuuar.

Mbi 4 mijë ushtarë, policë, zjarrfikës dhe personel mjekësor çuan në rajon dje vonë çadra, ushqime dhe shishe uji.

XS
SM
MD
LG