Lidhje

Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë


Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë
Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë

Kina është tani ekonomia e dytë më e madhe në botë – duke kaluar Japoninë, pas pakësimit të shpenzimeve të konsumatorëve që Tokio raportoi për tremujorin prill-qershor. Radhitja është shenjë treguese për rritjen e madhe të Kinës, në statistikat mbresëlënëse ka disa probleme të fshehura.

Konsumatorët kinezë kanë mbushur një qendër tregtare në Shanghai, një nga vendet ku prodhuesi amerikan Levi Strauss pret të realizojë shitje të madhe të xhinseve Denizen – marka e re e disenjuar për klasën e mesme të Kinës, e cila është në rritje.

Aaron Boey është përgjegjës i sektorit të kompanisë për Paqësorin.

“Marka Denizen është prodhuar për ata që i quajmë “persona që përpiqen të krijojnë status në shoqëri”. Këta janë njerëz që dallohen për krijimin e një statusi në familje dhe në shoqëri. Shumë shpesh ata janë të rinj, të parët në familje që studiojnë në universitet, diplomohen, gjejnë punë të mirë, e kështu me radhë.”

Studjuesit thonë se këta ndjekës të statusit kanë jo vetëm shije për veshjet e firmave të njohura, por edhe të holla për të shpenzuar.

Një studim i ri nga gjiganti bankar Credit Suisse arriti në përfundim se të ardhurat mesatare për një familje qytetare kineze janë 90 përqind më të larta se nga ç’njoftojnë zyrtarët. Duke përdorur të dhëna nga viti 2008, studjuesit thanë se këto të ashtuquajtura “të ardhura gri”, që realizohen nga “ekonomia gri”, apo ekonomia e paligjshme. Këto të ardhura janë shpesh në formën e dhuratave ose pagesave shtesë, të padeklaruara, ato janë baraz me 30 përqind të prodhimit ekonomik apo GDP-së së Kinës.

Profesori i financave në Universitetin Yale, Zhiwu Chen, thotë se fuqia blerëse duhet të bëjë që kompanitë ta venë re këtë fenomen.

“Çfarë thotë në të vërtetë ky studim, është se tregu i mallrave dhe tregu i shërbimeve në Kinë janë më të zgjeruar nga sa mendohej nga shumë vetë.”

Shpenzuesit e mëdhenj të Kinës kanë tërhequr disa tregje për mallra luksozë të prodhuesve si Mercedes Benz, Armani, Gucci dhe dizenjatori italian i veshjeve Gildo Zegna me firmën e familjes së tij Zegna.

“Vendosëm t’i zhvendosim burimet nga perëndimi në lindje, në veçanti në Kinë dhe në vende tjera si Tajvani dhe Hong Kongu. Dhe mendoj se ky ishte një hap i guximshëm. Patëm të drejtë. Sepse çdo vit ekonomia e vendit po rritet me 30 përqind.”

Sipas raportit të financuar nga Credit Suisse, suksesi i markave luksoze nuk është befasues. Raporti konstaton se 63 përqind e pasurisë së fshehur të Kinës kontrollohet nga familjet më të pasura të vendit.

Për profesorin e Universitetit Yale, Zhiwu Chen, ky përqendrim i pasurisë është arsye për t’u shqetësuar.

“Këto të ardhura të fituara nga “ekonomia gri” që studiohen në raportin nga Credit Suisse kanë të bëjnë më shumë me korrupsionin. Niveli i korrupsionit është tepër i lartë dhe shumë njerëz shqetësohen shumë për këtë.”

Profesori Chen thotë se ka përherë e më shumë fakte, se pabarazia tek të ardhurat ndikon jo vetëm tek gjendja ekonomike e popullsisë.

“Kjo hap më shumë rrugën për trazira shoqërore. Gjatë gjashtëmujorit të kaluar, shumë ngjarje të papritura e të dhunshme kanë ndodhur në Kinë.”

Profesor Chen përmend një sërë sulmesh me thikë ndaj fëmijëve të moshës shkollore, të cilat autoritetet nuk kanë arritur t’i shpjegojnë. Ai thotë se pabarazia në të ardhura dhe shqetësimi për korrupsionin ka qenë arsyeja e rasteve të tilla të dhunës.

Edhe punëtorët në fabrikat e Kinës, shtylla më e rëndësishme ekonomike e vendit, po shfaqin shenja shqetësimi. Punëtorët po kërkojnë përherë e më shumë paga më të mira... sikurse këta punëtorë të kompanisë Honda që u hodhën në grevë në krahinën Guandong të Kinës.

Disa nga grevat janë shoqëruar me dhunë, përfshirë një grevë në muajin qershor në qytetin Tanjin, që u xhirua me kamerë telefoni nga një punëtor në një uzinë që prodhon pjesë këmbimi për kompaninë Toyota.

Profesor Chen thotë se zyrtarët kinezë janë të vetëdijshëm se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po rritet. Ai thotë se shifrat e reja nga të ashtuquajturat “të ardhura gri” nga ekonomia e paligjshme në Kinë tregojnë se sa shpejt po keqësohet gjendja.

Profesori thotë se këto janë dy mesazhe të qarta.

“Investitorët duhet të jenë në dijeni për rrezikun e trazirave shoqërore që po ndodhin tani në Kinë. Prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve duhet të planifikojnë veprimtaritë e tyre të biznesit, në mënyrë që të shfrytëzojnë kërkesat e shtresës së kamur të shoqërisë.”

Këtë shpreson ta bëjë prodhuesi i xhinseve Levi’s përmes markës Denizen, që është disenjuar posaçërisht për Azinë dhe gjendet në tregjet e Kinës. Dhe disa blerës thonë se janë gati për këto xhinse nga jashtë.

Ky blerës thotë se e mirëpret hyrjen në tregun kinez të xhinseve të huaja, të cilat më parë ishte e vështirë t’i gjeje në dyqanet kineze.

XS
SM
MD
LG