Lidhje

Gajtner kritikon Kinën për reformën e ngadalshme valutore

  • Mil Arcega

Kina po përballet me kritika të reja ndaj politikave të saj monetare për kursin e këmbimit të monedhës, ndërkohë që thellohen mosmarrëveshjet e hershme mes të Uashingtonit dhe Pekinit. Kritikët akuzojnë Kinën se po manipulon valutën e saj – duke e mbajtur të ulët vlerën e juanit për t’i dhënë mallrave kineze përparësi çmimi në tregjet botërore. Sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Gajtner, tha dje se Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar veprime të reja për të detyruar Kinën që të ndërmarrë hapa sa më shpejt.

Ligjvënësve amerikanë po u ikën durimi për ritmin e ngadaltë të reformës valutore në Kinë. E njëjta gjë po ndodh edhe me administratën e Presidentit Obama. Sekretari i Thesarit, Timothi Gajtner, i tha Komisionit Bankar të Senatit se valuta kineze është “tejet e nënveftësuar”.

“Kemi arritur në po atë përfundim dhe jemi të shqetësuar, siç janë shumë partnerë tregtarë të Kinës, se ritmi i vlerësimit të valutës ka qenë shumë i ngadaltë dhe shkalla e vlerësimit shumë e kufizuar”.

Përkundër zotimit të mëhershëm të Pekinit për të lejuar elasticitet në kursin e këmbimit, monedha kineze, është rritur me vetëm një përqind që nga qershori. Kritikët thonë se juani mund të jetë deri në 40 përqind nën vlerën reale – duke bërë që të keqësohet më tej deficiti tregtar i Shteteve të Bashkuara dhe që mallrat amerikane të kushtojnë më shtrenjtë në Kinë.

Senatori republikan Riçard Shelbi, bëri thirrje për veprim të menjëhershëm.

“Është koha që kjo administratë të njohë pasojat që manipulimi i Kinës u shkakton punëtorëve dhe prodhuesve amerikanë dhe stabilitetit të sistemit financiar e ekonomik botëror”.

Shtetet e Bashkuara pohojnë se valuta e nënvlerësuar e Kinës ka bërë që të mbyllen disa fabrika, duke çuar në humbjen e mijëra vendeve të punës për amerikanët. Sekretari Gajtner tha se administrata po kërkon masa shpagimi, përfshirë tarifa më të lartë për mallrat kineze.

“Po analizojmë se çfarë mjetesh mund të përdorin Shtetet e Bashkuara si dhe po shqyrtojmë qasjet shumëpalëshe që mund të ndihmojnë në nxitjen e autoriteve kineze për të ndërmarrë hapa më shpejt”.

Përveç kësaj, ligjvënësit amerikanë i ka indinjuar edhe blerja e dollarëve nga qeveria japoneze për të dobësuar valutën e saj, e cila arriti të martën vlerën më të lartë në 15 vjet.

“Një gjë është shumë e qartë, ndërhyrja e njëanshme valutore e Japonisë, Kinës apo cilitdo vend tjetër përfaqëson mangësi në bashkëpunimin ndërkombëtar rreth kursit të këmbimit”, tha Senatori Kristofer Dods.

Edhe Banka Botërore paraqiti pikëpamjet e veta të mërkurën. Gjatë një vizite njëjavore në Kinë, kryetari i bankës Robert Zoellick tha se vlera e rritur e juanit do t’u jepte konsumatorëve kinezë më shumë fuqi blerëse dhe do të pakësonte varësinë e Kinës ndaj eksporteve.

Pekini është zotuar se nuk do t’i dorëzohet trysnisë ndërkombëtare. Zyrtarët kinezë thonë se një juan më i fortë nuk do të zgjidhë problemet ekonomike amerikane dhe kanë tërhequr vërejtjen se taktika e presioneve do të mund të dëmtonte vetë Amerikën.

XS
SM
MD
LG