Presidenti kinez Hu Xhintao hapi bisedimet e nivelit të lartë mbi çështjet ekonomike me Shtetet e Bashkuara duke premtuar të reformojë sistemin e monedhës kineze më mënyrë graduale dhe të pavarur.
Zoti Hu i bëri komentet sot në Pekin në hapje të Dialogut Strategjik Ekonomik me zyrtarët amerikanë, mes tyre edhe sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton dhe sekretari i Thesarit Timoti Gajtner.
Disa ligjvënës amerikanë duan që Kina ta lejojë juanin të fuqizohet sepse ata thonë se niveli i tij i tanishëm në krahasim me dollarin i bën eksportet kineze artificialisht të lira në tregjet amerikane. Kina e ka mbajtur vlerën e këmbimit mes juanit dhe dollarit fikse që nga viti 2008.
Zoti Gajtner e mirëpriti, siç tha ai, pohimin e Kinës se reforma e kursit të këmbimit është një pjesë e rëndësishme e axhendës më të gjerë të Pekinit. Ai tha gjithashtu se dy palët kanë interesa të përbashkëta në një sistem tregëtar global ku vendet konkurojnë me kushte të barabarta.