Lidhje

Cili është udhëheqësi liberal demokrat britanik Nick Clegg


Cili është udhëheqësi liberal demokrat britanik Nick Clegg
Cili është udhëheqësi liberal demokrat britanik Nick Clegg

Në Britani, konservatorët dhe laburistët vazhdojnë negociatat me udhëheqësin liberal demokrat Nick Clegg për të formuar një qeveri koaliconi.

Udhëheqësi liberal demokrat Nick Clegg fitoi popullaritet të madh gjatë fushatës zgjedhore në Britani, dhe megjithëse popullariteti i tij nuk ishte i mjaftueshëm për të fituar shumë vende në parlament, ai është kthyer në forcën kryesore që do të vendosë se kush do ta qeverisë Britaninë e Madhe në katër vitet e ardhshme.

Megjithëse ai ka udhëhequr liberal demokratët që nga viti 2007 dhe ka qenë anëtar i parlamentit britanik për pesë vite, studiuesja Helen Margetts nga Universiteti i Oksfordit, thotë se është e vështirë të thuhet se ai është udhëheqës i mirë.

“Nuk mendoj se kemi njohuri të mjaftueshme sepse ai nuk ka qenë figur enjohur në politikën britanike deri para gjashtë javësh.”

Zoti Clegg u bë figur e njohur në debatet elektorale. 43 vjeçari Clegg u cilësua si udhëheqësi më popullor i një partie politike që nga koha e Winston Churchill-it dhe është krahasuar me presidentin amerikan Barak Obama për mesazhin e tij për ndryshime.

“Nëse i bëjmë gjërat ndryshe, ne mund të ndërtojmë një Britani më të mirë dhe më të drejtë.”

Analistja Magetts thotë se e ashtuquajtura Clegg-mania erdhi si rezultat i një numri faktorësh.

“Mund të thuash se është një kombinimi i figurës së Nick Clegg-ut dhe debateve televizive. Debatet televizive kanë patur ndikim të madh në këto zgjedhje dhe paraqitja e tij në këto debate ka luajtur rol të rëndësishëm.”

Pas paraqitjeve të zotit Clegg në debatet televizive, partia e tij Liberal Demokrate fitoi mbështetje më të madhe në anketat e opinionit publik. Profesori i universitetit të Notingham-it, Steven Fielding thotë se kjo ishte e befasishme.

“Ai ka qenë i pranishëm në skenën politike për një kohë të shkurtër, dhe të jem i sinqertë deri para fushatës zgjedhore dhe para debateve telivizive, vetëm një numër i vogël njerëzisht e merrnin me seriozitet atë.”

Liberal demokratët fituan 57 nga 650 vendet në parlament, më pak se ç’shpresonin. Profesori Fielding thotë se njerëzit kanë hezituar të votojnë për këtë parti sepse zoti Clegg ishte figurë e panjohur.

“Aftësitë e tij prej udhëheqësi nuk janë vërejtur ende sepse ai nuk është sprovuar. Nuk është e lehtë të jesh udhëheqës i Liberal Demokratëve në Britani, por nuk është detyra më e vështirë politike.”

Rezultatet e partisë së tij e vendosin zotin Clegg në një pozitë të fuqishme, pasi dy partitë kryesore, konservatorët dhe laburistët nuk kanë fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur. Profesor Fielding thotë se kjo është një sfidë e madhe për politikën britanike.

“Mendoj se ky është testi më i madhe me të cilin mund të përballet një politikan britanik.”

Margetts thotë se përvoja që zoti Clegg ka marrë gjatë punës së tij si anëtar i parlamentit evropian mund të jetë e dobishme për të.

“Ai ka eksperiencë në këtë fushë dhe shumica e politikanëve britanikë nuk e kanë këtë lloj eksperience. Zoti Clegg ka punuar në Evropë për shumë vite dhe ka përvojë në krijimin e koalicioneve politike.”

Zoti Clegg dhe Liberal Demokratët duan ta reformojnë sistemin zgjedhor të Britanisë duke e bërë atë sistem të drejtëpërdrejtë përfaqësues. Profesori Fielding thotë se zoti Clegg kërkon pikërisht këtë gjë nga udhëheqësi konservator David Cameron apo kandidati laburist në pushtet Gordon Brown.

“Ka shumë liberal demokratë të cilët thonë se nëse gjatë negociatave me konservatorin David Cameron ose laburistin Gordon Brown zoti Clegg nuk merr angazhime të forta për reformimin e sistemit elektoral që ata e kanë kërkuar që nga viti 1920, kjo do të përbënte dështim për zotin Nick Clegg.”

Dy partitë e mëdha politike po bisedojnë me zotin Clegg duke i ofruar atij një frymë bashkëpunimi. Zoti Clegg thotë se kosnervatorët duhet të tregojnë se ata mund të krijojnë një qeveri e cila do t’i shërbej interesave kombëtare.

XS
SM
MD
LG