Lidhje

Cirque de Soleil apo Cirku i Diellit dhe artistët e tij

  • Tala Havadi

Cirque de Soleil apo Cirku i Diellit dhe artistët e tij

Cirque de Soleil apo Cirku i Diellit dhe artistët e tij

Cirque de Soleil apo Cirku i Diellit është krijuar për të argëtuar njerëzit. Por janë artistët po aq sa skenat fantastike që e bëjnë këtë shfaqje magjepse. Për të qenë pjesë e ekipit, ata duhet të ndërthurin artin me gjimnastikën. Tala Havadi bisedoi me një prej tyre mbi këtë përvojë.

E gjithë kjo filloi me 20 artistë nga Kuebeku që jepnin shfaqje në rrugë në vitin 1984... Që atëherë, Cirque du Soleil është bërë shumë i njohur. Shifrat tregojnë se thuajse 100 milion njerëz në 300 qytete në pesë kontinente e kanë parë shfaqjen e Cirque de Soleil. Por ky nuk është një cirk i zakonshëm. Së pari, aty nuk ka shfaqje me kafshë, si në një cirk tradicional. Përkundrazi, shfaqja është plot akrobaci të jashtëzakonshme, me tema si në ëndrra, muzikë origjinale dhe ndriçime magjike…

Jahia Ishebuden ka konkuruar për ekipin kombëtar francez të gjimnastikës për gjashtë vjet me radhë… Në vitin 2008, 23-vjeçari ndoqi ëndrrën e tij dhe këmbeu uniformën të gjimnastit me një kostum më të ndritshëm dhe më të njohur…

"Kur isha 17 vjeç, pashë shfaqjen e parë të Cirque du Soleil… dhe thashë me vete: unë dua ta bëj këtë lloj pune. Kur merrja pjesë në gara, stërvitesha rreth 35 orë në javë. Por nuk mësoja shumë...sepse pasi arrin një nivel të caktuar konkurimi, pastaj vetëm përpiqesh ta ruash atë. Por në cirk, kur fillova punën me Cirque du Soleil dhe fillova të mësoj si krijohet kjo shfaqje, atëhere nisa të mësoj ca gjëra."

Shfaqja e fundit e titulluar, "Ovo", është për insektet… Pjesa e Jahias në shfaqje përfshin 11 ish gjimnastë të transformuar në gjinkalla. Trampolina e hollë dhe muri shkëmbor ku duhet të ngjitesh ishin të përshtatshme për shfaqjen. Ata ishin vënë aty që ditën e parë.

"Shpenzuam tetë muaj krijimtarie në Montreal… kur filluam punën me cirkun, ata na treguan murin e madh dhe tre trampolina dhe litarin që kalonte mbi skenë, pastaj na thanë të stërvitemi…Bëmë gjashtë muaj stërvitje duke kërkuar elemente të reja…duke kërkuar akte të reja, dhe pastaj filluam krijimin e shfaqjes … "

Deborah Kolker, gruaja e parë që ka drejtuar dhe ka bërë koreografinë e një shfaqjeje të Cirque du Soleil, lejonte trupën e saj prej 54 artistësh të merrnin pjesë plotësisht në krijimin e shfaqjes…por kjo nuk ishte e lehtë…

"Fillonim punën në orën nëntë të mëngjesit... sepse bënim stërvitje tek muri i alpinizmit, tek litari dhe pastaj koreografitë…merrnim klasa aktrimi, kërcimi, etj. Për mua ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, sepse Deborah Kolker ishte e mrekullueshme …me një sens fantastik krijimtarie..."

Uashingtoni është vendi i nëntë ku shfaqet OVO…Shfaqjet më të mira luhen në qytetet ku prezantohen për rreth dy muaj. Pjesëtarët e trupës jetojnë në apartamente të mira dhe dieta u gatuhet nga kuzhinierët më të mirë për t’u siguruar kushtet e duhura. Megjithatë, udhëtimi është i gjatë…

"Do të qëndrojmë në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2012…dhe pastaj nuk e di ende nëse do të shkojmë në Japoni apo Australi … Ne nënshkruajmë kontrata dy-vjeçare dhe pas dy vjetësh, disa vazhdojnë punën, disa largohen për t’u marrë me projekte të tjera, ose thjesht sepse nuk duan të vazhdojnë më turneun."
Ndërkohë që Jahias po i afrohet fundi i kontratës së tij të parë, ai është i kënaqur që është shndërruar nga pjesëtar i ekipit kombëtar në një artist cirku…

"Pjesa më e mirë për mua është fundi i shfaqjes, kur turma ngrihet në këmbë dhe duartroket dhe na falenderon. Kjo më jep kënaqësi…sepse kur konkurroja përpara e bëja për të marrë medaljen e artë. Kurse tani punoj për t’i kënaqur njerëzit.”
Vizita në Uashington i jep fund edhe shfaqjeve të trupës në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara. Pastaj shfaqja do të jepet në Atlanta, Dallas dhe Hjuston të shtetit Teksas.

XS
SM
MD
LG