Lidhje

SHBA: Organizatat e të drejtave civile, thirrje për bojkot ndaj Arizonës


SHBA: Organizatat e të drejtave civile, thirrje për bojkot ndaj Arizonës
SHBA: Organizatat e të drejtave civile, thirrje për bojkot ndaj Arizonës

Një koalicion organizatash të të drejtave civile dhe punës në Shtetet e Bashkuara, thonë se do të bojkotojë ngjarje të mëdha në shtetin jugperëndimor të Arizonës. Ky zhvillim është më i fundit në një numër protestash në rritje anembanë vendit pasi Arizona miratoi kohët e fundit një ligj që i kërkon policisë të kontrollojë statusin e njerëzve që ata besojnë se jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Demonstratat e zemëruara ndaj ligjit të ri të imigracionit kanë përshirë gjithë Shtetet e Bashkuara.Ligji, i njohur si SB 1070 do të hyjë në fuqi në fund të korrikut. Sipas ligjit, policia duhet të kontrollojë statusin e njerëzve që dyshohet se janë imigrantë të paligjshëm dhe gjithashtu u kërkon imigrantëve që të mbajnë gjithnjë dokumentat me vete.

Protestat e fundit kanë formën e një bojkoti kundër kuvendit të Arizonës dhe industrisë së turizmit. Janet Murguia është Presidente e Këshillit Kombëtar La Raza, një prej grupeve më të mëdha të të drejtave civile të latinëve në Amerikë.

“Ne jemi zotuar të mos zhvillojmë konventa, konferenca apo ngjarje të tjera të veçanta, që kprkojnë udhëtime të shumta në Arizona nga shtete të tjera. Ligji SB 1070 do të bëhet shkas i shtimit të arrestimeve të gabuara bazuar në dallimin racial dhe diskriminime të tjera kundër kujtdo që policët e shohin të arsyeshme që mund të jetë pa dokumenta”.

Disa mbështetës të ligjit, mes tyre dhe këta spikerë radiosh, po bëjnë thirrje për një kundërbojkot.

“Ne vendosëm të vinim këtu për t’u thënë të vërtetën dëgjuesve dhe t’i frymëzojmë ata që të shpenzojnë para në kompanitë e Arizonës dhe në turizmin e saj”.

Ndërkohë, Presidenti meksikan Felipe Calderon ka dënuar ligjin për imigracionin, duke thënë se nuk është aspak tolerant dhe nxit urrejtjen. Meksika gjithashtu ka bërë një paralajmërim udhëtimi për meksikanët që shkojnë në Arizona ose që jetojnë atje. Sekretari i Brendshëm i Meksikës, Fernando Gomez Mont.

“Ne nuk na pëlqen ky ligj. Ne mendojmë se ai do të prekë meksikanët, madje dhe ata që janë të ligjshëm në Arizona. Ne mendojmë se mund të kemi më shumë probleme se sa zgjidhje prej këtij ligji”.

Shumë policë shqetësohen se ligji mund ta bëjë më të vështirë për ta që të marrin informacion nga viktimat e krimit. Shefi i policisë së Phoneix në Arizona, Jack Harris:

“Ky ligj do t’i largojë forcat policore nga misioni ynë kryesor për të zbatuar ligjin”.

Mbështetësit e ligjit thonë se ai do të ndihmojë në luftën kundër një vale krimesh për të cilët akuzohen imigrantët e paligjshëm. Republikanët e Arizonës thonë se shteti ka të nevojshme të ndërmarrë masa sepse zyrtarët amerikanë kanë dështuar të zbatojnë ligjet ekzistuese që mund të ndalin vërshimin e imigrantëve të paligjshëm nga Meksika. Guvernatorja e Arizonës Jan Brewer nënshkroi ligjin.

“E mbështes atë, mendoj se banorët e Arizonës dhe shumica e njerëzve në gjithë Amerikën e mbështesin këtë ligj. Ne do të shprehim mendimin tonë dhe do t’i bëjmë thirrje qeverisë federale që të sigurojë kufijtë”.

Ndërsa administrata Obama ka kritikuar ligjin, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare dhe ish guvernatorja e shtetit të Arizonës Janet Napolitano thotë se ajo e kupton se pse banorët e Arizonës janë kaq të irrituar nga problemi i imigracionit.

“Arizona është një nga shtetet ku banorët përballen me lëndë narkotike, kontrabandë dhe me imigracionin e paligjshëm. Gjatë 15 muajve të fundit, ne kemi vendosur në Arizona shumë burime, më shumë forca të rendit, më shumë teknologji e infrastrukturë, më shumë fonde për zbatimin e ligjit lokal”.

Presidenti Obama po i bën thirrje Kongresin që të miratojë një reformë gjithëpërfshirëse për imigracionin. Shumë organizata të të drejtave civile mbështesin presidentin dhe thonë se është e vetmja përgjigje për të luftuar problemin e imigracionit në Amerikë.

XS
SM
MD
LG