Lidhje

Sekretarja Klinton në Poloni për marrëveshje dy palëshe në fushën e mbrojtjes


Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë nënshkruar një marrëveshje të rënëdsihsme për mbrojtjen, në bazë të së cilës do vendoset një bazë raketash në këtë vend të Bashkimit Europian.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton dhe homologu i saj polak, Radoslav Sikoroski, morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes sot në qytetin Krakov. Baza e raketave është pjesë e një plani për sistemin e mbrojtjes amerikane në Europë, i cili përfshin dhe një sistem radarësh në Republikën Çeke.

Zonja Klinton tha se programi i korrigjuar do të jetë funksional vite më shpejt, nga ç’ishte parashikuar nga administrata e mëparshme amerikane. Ajo tha gjithashtu se kjo marrëveshje është e mbështetur krejtësisht nga aleatët e NATO-s.

Rusia vazhdon që të kundërshtojë planin, duke thënë se minon strategjinë e Moskës. Por Klinton theksoi se sistemi është krejtësisht mbrojtës dhe nuk cënon Rusinë.

Dje gjatë vizitës në Ukrainë, Sekretarja amerikane e Shtetit përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një Ukrainë të pavarur, duke theksuar se nocioni që Kievi duhet të orientohet drejt Shteteve të Bashkuara apo Rusisë është, siç u shpreh ajo, një zgjedhje false. Sekretarja Klinton u takua për bisedime me figura kryesore politike të Ukrainës, përfshirë edhe Presidentin Viktor Janukoviç.

Zoti Janukoviç, i cili siguroi një fitore të ngushtë në zgjedhjet e shkurtit, duke u kthyer në postin e presidentit të vendit pas 6 vjetësh, shikohet gjerësisht si më pro-rus se sa paraardhësi i tij, Viktor Jushçenko.

Megjithatë ai ka dhënë sinjale të përzjera gjatë muajve të parë në detyrë, duke kufizuar lidhjet e vendit të tij me NATO-n, por duke premtuar se do të vazhdojë reformat demokratike, madje duke u zotuar në takimin e nivelit të lartë të Uashingtonit në muajin prill lidhur me sigurinë bërthamore se do të eliminonte rezervat e Ukrainës të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin Janukoviç, Sekretarja Klinton tha se ukrainasit nuk duhet të lejojnë askënd të detyrojë vendin e tyre që të zgjedhë mes Rusisë dhe Perëndimit.

"Ne besojmë se kjo është një zgjedhje false. Ukraina është një vend i pavarur dhe ne shpresojmë që ajo të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj, përfshirë edhe Rusinë, dhe se Ukraina do të vendosë marrëdhënie të ngushta e konstruktive me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian. Ne nuk besojmë në konceptin e sferave të influencës. Ne besojmë se varet nga ukrainasit që të përcaktojnë kursin e tyre drejt së ardhmes".

Presidenti Janukoviç, nga ana e tij, mirëpriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat ekonomike të Ukrainës dhe një paketë ndihmash të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Ukrainën, për të cilën këtë javë po zhvillohen negociata të rëndësishme.

Duke folur me anë të përkthyesit, presidenti ukrainas shprehu mirënjohjen e qeverisë së tij për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për pavarësinë e vendit të tij që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

"Ne vlerësojmë shumë pozitën e njëjtë të Shteteve të Bashkuara, e cila u riafirmua këtu sot, për garantimin e sovranitetit të Ukrainës, pavarësisë dhe inmtegritetit të saj territorial si dhe të pashkelshmërisë së kufijve të saj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Ukrainën si një vend evropian jo anëtar i Bashkimit Evropian. Due të theksoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner strategjik i besueshëm për Ukrainën".

Bisedimet në Kiev përfshinë edhe energjinë e në këtë kuadër rolin shpesh problematik të Ukrainës si vendi ku kalon një tubacion i rëndësishëm i gazit rus për të furnizuar Evropën.

Presidenti ukrainas i tha zonjës Klinton se Ukraina do të kërkojë financimin nga Rusia dhe Evropa Perëndimore për një gasjellës të ri që kalon nëpër atë vend për të siguruar furnizime pa ndërprerje.

Sekretarja Klinton tha se reformat ekonomike mund të hapin rrugën për investimet amerikane, që do të ndihmonin në zhvillimin e burimeve të veta energjitike të Ukrainës.

Sekretarja amerikane e Shtetit u takua gjithashtu në hotelin e saj në Kiev me udhëheqësen e opozitës dhe ish kryeministren, Julia Timoshenko, rivalja e fortë e zotit Janukoviç, e cila përballet me mundësinë e ndjekjes penale nën akuzat për shpërdorim të detyrës.

Në një takim të mëparshëm me Ministrin e Jashtëm ukrainas, Kostantin Hryshçenko, zonja Klinton tha përsëri se administrata Obama synon të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën, megjithë zhvillimet e kësaj jave lidhur me dyshimet për një rrjet spiunazhi rus në Shtetet e Bashkuara.

Sekretarja citoi përshkrimin e Presidentit Obama të rrjetit të spiunazhit si një fenomen nga shekulli i 20-të.

"Kemi 10 vjet që kemi hyrë në shekullin e 21 dhe ne shikojmë nga e ardhmja. Ne jemi të angazhuar për të marrë masa në interes të sigurimit dhe vlerave amerikane si dhe në interes të asaj të ardhmeje që udhëheqësit e Rusisë na kanë thënë se duan për popullin rus".

Sekretarja Klinton nuk pranoi të komentonte në se ndonjë zyrtar rus i ndërlikuar disi në veprimtarinë e spiunëve të akuzuar mund të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarë të lartë amerikanë lanë të kuptonin në fillim të javës se do të shmangej çdo pasojë diplomatike për shkak të kësaj çështjeje.

XS
SM
MD
LG