Lidhje

Ceremonia e çmimeve të muzikës kantri

  • Zëri Amerikës

Ceremonia e çmimeve të muzikës kantri

Ceremonia e çmimeve të muzikës kantri

Akademia e Muzikës Country zhvilloi mbrëmë ceremoninë e përvitshme të ndarjes së çmimeve. Ceremonia, këtë radhë në edicionin e 45-të të saj, nderon talentet më të mira të këtij zhanri muzikor dhe artistët e rinj country. Ceremonia e mbrëmshme përfundoi me një fitues të qartë, Grupin Lady Antebellum, që mori mbrëmë 5 çmime, por solli edhe një risi për vetë Akademinë e Muzikës Country me zgjedhjen e këngëtares Kerry Underwood si artistja e më e mirë e vitit:

Karrie Underwood ka hyrë tani në historinë e Akademisë së Muzikës Country si e para grua që fiton dy herë në kategorinë Artisti më i Mirë i Vitit. Për herë të parë këngëtarja e mori këtë titull vjet. Këtë radhë fitorja i takoi përsëri artistes së re, megjithë konkurencën e fortë nga këngëtarë të afirmuar si Kenny Chesney, Toby Keith, Brad Paisley apo Taylor Swift.

Pas një seri hitesh ritmike, këtë vit artistja ofroi një interpretim më intim me këngën ‘Temporary Home’ që ishte zgjedhur si një ndër këngët e interpretuara në skenën e ceremonisë së mbrëmshme.

Pavarësisht nga çmimi prestigjoz për Karrien, fituesi më i madh i mbrëmjes ishte treshja Lady Antebellum që mori mbrëmë 5 trofe. Grupi ishte ndër të preferuarit e ceremonisë së sivjetshme, pasi kishte numrin më të lartë të kandidaturave, duke konkuruar në 7 kategori. Treshja siguroi 5 çmime në kategoritë Grupi më i Mirë Vokal, Kënga më e Mirë e Vitit, dhe në Kategorinë e Albumit më të Mirë ‘Need you Now’ për të cilin fituan edhe në kategorinë e realizimit dhe të kompozimit.

Një emër i ri i muzikës Country, që ka ngjitur me shpejtësi shkallët e suksesit, spikati edhe në ceremoninë e mbrëmshme. Këngëtarja Miranda Lambert fitoi në kategorinë e Vokalistes më të Mirë, duke ia marrë nga duart trofenë Carrie Underwoodit, e cila e kishte fituar 3 vjet radhazi këtë titull.

Një moment emocionues ishte interpretimi në skenë i këngëtarit Toby Keith me këngën Crying for Me, kushtuar mikut të tij dhe muzikantit të xhazit Wayman Tisdale, i cili vdiq vjet. Por mbrëmja pati edhe momente komike, siç ndodhi me interpretimin e Brad Paisleyt, i cili për të ilustruar këngën e tij “Water”, - apo ‘Ujë’ u hodh në një pishinë të vogël me ujë dhe pas pak minutash iu desh të ngjitej në skenë i lagur, për të pranuar titullin Vokalisti më i Mirë i Vitit.

Muzika Country në Amerikë është afruar gjatë dekadave të fundit gjithnjë e më shumë me muzikën pop, duke e bërë këtë zhanër të ndiqet nga një kategori më e madhe njerëzish dhe duke i bërë artistat Country, emra të njohur në gjithë skenën muzikore amerikane.


XS
SM
MD
LG