Lidhje

Shqipëria synon të mbyllë demontimin e armëve brenda vitit 2013


Shqipëria synon të mbyllë demontimin e armëve brenda vitit 2013

Shqipëria synon të mbyllë demontimin e armëve brenda vitit 2013

Shqipëria mund të përfundojë tërësisht shkatërrimin e armatimit të vjetër brenda vitit 2013. Ministri i mbrojtjes Arben Imami deklaroi sot në një konferencë me donatorët se kanë mbetur edhe vetëm 45 mijë tonë municione në fazën e fundit. Opozita ka shprehur dyshime për korrupsion ne procesin e shitjes së metaleve dhe reparteve të ushtrisë.

Shqipëria deklaroi se pas dy vjetësh nuk do të ketë më asnjë armatim të vjetër nga koha e diktaturës komuniste. Drejtuesit e ushtrisë bënë sot të ditur se dy vitet e fundit shkatërruan rreth 45 mijë tonë armë e municione të tepërta dhe dy vitet e ardhshme do të shkatërrojnë edhe 45 mijë tonët e fundit.

Ministri i mbrojtjes, Arben Imami, thotë se Shqipëria po lë prapa periudhën e errët komuniste me armë të tepërta dhe të pasigurta, duke u afruar përherë e më shumë me standartet e aleancës veri-atlantike. “Së bashku me SHBA kemi tani një program që po funksionon, një program i cili premton të japë frytet në një kohë të përcaktuar qartë. Kemi edhe mjaft punë për të bërë. Tani janë tepër dhe duhet të asgjësohen rreth 45 mijë ton municione, mijëra artikuj të ndryshëm që nga armatimet e artilerisë, tanke, materiale të ndryshme, deri tek gjilpërat” - tha ai.

Aktualisht 3 uzina dhe13 fabrika në të gjithë territorin punojnë pa ndërprerje për zbërthimin e dhjetëra mijë tonelata municionesh. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu tha se regjimi komunist mblodhi mijëra armë të rrezikshme kundër amiqve që nuk ekzistonin. Tani të gjithë kanë një detyrim të madh që ta ndihmojnë Shqipërinë që të çlirohet nga këto pesha të rënda të diktaturës komuniste për të patur një të ardhme më të mirë. “Para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit në mars 2008 SHBA dhanë 8, 5 milionë dollarë për të shkatërruar minat dhe armë të lehta. Qysh nga ajo kohë SHBA dha fonde të shumta dhe ekspertë për të pastruar gjithë territorin nga mbeturinat e rrezikshme që u përhapën në gjithë territorin e Gërdecit.

Edhe një javë më parë me ministrin Imami nënshkruam edhe një grant tjetër për pastrimin e Gërdecit dhe zona të tjera me ndotje rretheqark Shqipërisë” - tha ai. Ambasadori amerikan Arvizu tha se Shqipëria është mbështetje kryesore për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. “Shqipëria është një anëtar krenar i NATO-s. asgjësimi i këtyre armëve është i rëndësishëm për të shmangur aksidentet, për të shmangur rrezikun e terrorizmit dhe kriminalitetit” - tha zoti Arvizu.

Ndërsa shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, gjeneral Xhemal Gjunkshi, thotë se zbërthimi i armëve dhe municionit të vjetër është një punë e ndërlikuar që po ecën shumë mirë falë mbështetjes së fuqishme të partnerëve perëndimorë. “Qeveria e Shqipërisë ka marrë përsipër që brenda vitit 2013 të jetë një vend plotësisht i pastër nga municionet e tepërta. Të gjitha do të asgjësohen. Këtë objektiv të shtetit shqiptar ne do ta përmbushim me sukses, edhe me ndihmën e partnerëve tanë që na janë gjendur pranë” - tha ai.

Por nga ana tjetër, opozita është e shqetësuar për tjetërsimi i vlerës së mallit pas demontimit dhe tjetërsimi i pronave nga shitja e objekteve. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, pjesëtar i komisionit parlamentar të ligjeve, thotë se ushtria ka bërë një punë të mirë për demontimin dhe uljen e stokut të armëve, një punë kjo e nisur qysh në vitin 2000. Socialistët mendojnë se siguria në disa fabrika demontimi është jashtë standarteve, prandaj kanë kërkuar vazhdimisht të rritet shkalla e sigurisë në bazat ku armatimi zbërthehet, ku shpesh kanë humbur jetën punonjës civilë dhe ushtarakë, në mënyrë që të mos përsëriten tragjedi si ajo e Gërdecit. Zoti Gjoni thotë se opozita ka dyshime dhe po heton raste abuzimesh me stokun gjigand të metaleve të rralla dhe lëndëve të tjera ushtarake pas demontimit.

“Tashmë jemi në një proces investigimi për demontimin e predhave dhe atë që sipas gjykimit tonë është një abuzim dhe një tjetërsim i pronës së popullit. Përmes procedurave të parregullta sa i përket shitjes së skrapit pas demontimit të predhave” - tha ai. Socialistët e opozitës mendojnë se zyrtarët përpiqen të shmangin informacionin dhe nuk ka transparencë as për opozitën dhe as për qytetarët mbi procesin e demontimit, dhe mbi shitjen me ankand të pronave dhe pasurive të ushtrisë, dhjetëra reparteve, depove dhe objekte anembanë Shqipërisë.

Regjimi komunist ngriti një ushtri gjigande joproporcionale, duke mbledhur armë nga Kina, Rusia dhe shtete të tjera, apo duke prodhuar edhe vetë qindra mijëra armë automatike dhe municione. Në vitin 1990 shqipëria kishte në depo rreth 200 mijë tonë armatime dhe municione, që nga armët kimike, minat anti-personel dhe predha të të gjitha llojeve për ajrin, tokën dhe detin. Ruajtja e tyre në kushte teknike të dobëta i nxorri ato shpejt nga standartet e sigurisë dhe bëri të domosdoshme shkatërrimin e tyre për të zhdukur rrezikun ndaj banorëve. Incidenti më i rëndë në këtë proces është shpërthimi i Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, për të cilin u akuzua pothuaj gjithë shtabi i ushtrisë shqiptare. Gjyqi ndaj tyre vazhdon edhe sot pas 3 vjetësh, ndërsa drejtuesit civilë të ushtrisë mbetën jashtë hetimit.

XS
SM
MD
LG