Lidhje

Kirgistan: Presidenti Bakijev thotë se do ta japë dorëheqjen, por me kusht


Presidenti i Kirgistanit i larguar nga pushteti, Kurmanbek Bakijev, tha se do ta japë dorëheqjen, në se qeveria e përkohëshme e vetëshpallur, të garantojë sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

Zoti Bakijev i tha sot gazetarëve në fshatin e tij Teit, se ai po ashtu do që t’i jepet fund trazirave dhe të zhvillojë bisedime me kreun e qeverisë së përkohëshme, Roza Otun-bajeva. Presidenti u largua nga kryeqyteti Bishkek, pas përleshjeve javën e kaluar mes policisë dhe protestuesve, ku u vranë të paktën 83 vetë.

Në një intervistë ekskluzive me agjencinë Associated Press Otunbajeva tha se qeveria e përkohshme është e gatshme ti japë zotit Bakijev garanci për sigurinë në se ai jep dorëheqjen dhe largohet nga vendi. Ajo nuk pranoi të jepte imunitet për familjen e tij.

Një gjykatë kirgize ka nxjerrë një urdhër arresti për vëllanë e zotit Bakijev dhe djalin e tij në lidhje me vdekjet e protestuesve në Bishkek.
Po sot, kreu i përkohshëm i zbatimit të ligjit, i bëri thirrje Presidentit të larguar nga pushteti që të dorëzohet në kryeqytet, ose në të kundërt, do të arrestohet nga forcat speciale.

XS
SM
MD
LG