Lidhje

NATO përpiqet të ripërkufizojë rolin e saj


Kanë kaluar 2 dekada që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Në këtë periudhë NATO-ja është përpjekur të ripërkufizojë misionin e saj duke shtuar radhët me anëtarë të rinj dhe duke marrë mbi vete misione të reja. Tani, kjo krizë identiteti e Aleancës ka hyrë në një fazë të re, ndërkohë që zyrtarët e organizatës po përpiqen të finalizojnë Konceptin Strategjik, dokumentin që do të mishërojë udhëzuesin e Aleancës për dekadën e ardhshme.

Kur Perëndimi e konsideronte Bashkimin Sovjetik si kërcënim, NATO-ja kishte një rol të natyrshëm për ta balancuar këtë kërcënim. Por kur ra Muri i Berlinit dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1989, misioni parësor i NATO-s u zhbë bashkë me të.

Që nga ajo kohë, Aleanca ka pranuar në radhët e saj 13 vende të bllokut ish-komunist dhe ka dërguar trupa që nga Ballkani deri në Afganistan. Por për perëndimorët skeptikë, kjo nuk i ka shërbyer vazhdimësisë së Aleancës:

“Pyetja nëse NATO-ja është e vlefshme ose thjesht një relike do të ishte me vend nëse Aleanca do të ishte ende e stacionuar vetëm në Evropë. Realiteti është krejt ndryshe”.

Admirali i Marinës amerikane James Stavridis është ushtaraku më i lartë amerikan për NATO-n. Në një diskutim në Uashigton ai thotë se NATO-ja po kryen misione të rëndësishme për të garantuar sigurinë nga kërcënimet konvencionale dhe nga kërcënime të reja si terrorizmi, pirateria dhe sulmet përmes rrjeteve elektronike. Por zoti Stavridis thotë se NATO-ja çalon në një aspekt:

“Ne jemi shumë të aftë të hedhim raketa, por jo aq të aftë në hedhjen e ideve”.

Sfida është të binden popullatat e vendeve anëtare, veçanërisht në Evropën Perëndimore, se Natoja është e rëndësishme për të ardhmen e tyre.

Ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright sapo përfundoi një projekt studimor, që u kurorëzua me hartimin e një propozimi për Konceptin Strategjik, paraqitur zyrtarëve të NATO-s. Dokumenti, që pritet të miratohet nga udhëheqësit e NATO-s në nëntor, synon të nxisë mbështetje për misionet e Aleancës:

“Mendoj se duhet të shpjegojmë përse kjo Aleancë që lindi 60 vjet më parë ka sot një arsye krejt tjetër ekzistence”.

NATO-ja është aleancë demokracish dhe shumë nga vendet anëtare të saj e kanë të vështirë të bindin parlamentet dhe popullatat e tyre përse është e nevojshme të shpenzohen fonde për mbrojtje, në një periudhë kur Evropa ngjan krejt paqësore.

Damon Wilson i Këshillit Atlantik thotë se Koncepti i ri Strategjik nuk pritet ta ndryshojë këtë pikëpamje:

“Ky dokument nuk do të jetë ndonjë pamflet që i mbërthen evropianët, apo stimulon imagjinatën e amerikanëve. Por synimi i tij do të jetë të identifikojë pikat e përbashkëta që duhet të gjejnë udhëheqësit e Aleancës, t’i përfshijnë në një fletë letre, në mënyrë që të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’u shpjeguar popullatave të tyre përse NATO-ja është e nevojshme”.

NATO-ja është një burim jetik qëndrueshmërie në një botë të paqëndrueshme, thuhet në raportin e grupit Albright. Raporti thekson se Aleanca duhet të jetë në gjendje t’u përgjigjet me shpejtësi sfidave të reja komplekse. Kjo nënkupton planifikim më të mirë, shkëmbim të të dhënave të zbulimit mbi sfida të reja si mbrojtja nga raketat.

Në Fondacionin Heritage, ekspertja e sigurisë evropiane Sally McNamara nuk e kundërshton këtë ide, por shton se NATO-s nuk i duhet një vit i tërë konsultimesh:

“Mendoj se konsensusi arrihet me punë dhe përmes veprimeve të përbashkëta”.

Zonja McNamara thotë se zyrtarët duhet të dëshmojnë se NATO-ja vazhdon të ketë rol, duke ofruar trupa, specialistë dhe pajisje që nevojiten për luftën në Afganistan, dhe jo thjesht të përqëndrohet tek diskutimet mbi koncepte për të cilat ekziston tashmë një konsensus i gjerë mes anëtarëve.

XS
SM
MD
LG