Lidhje

Presidenti Obama kërkon të bëhet përparim këtë vit në reformën e imigracionit


Presidenti Barak Obama thotë se do që Kongresi amerikan të bëjë përparim këtë vit drejt reformës së sistemit të emigracionit në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson njofton nga Shtëpia e Bardhë, ku presidenti foli rreth kësaj çështjeje gjatë një ceremonie me rastin e ngjarrjeve përkujtimore në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe në pjesë të tjera të botës që shënojnë çdo vit trashëgiminë dhe krenarinë kulturore të Meksikës:

Pasi arriti me sukses që ta bindte Kongresin të miratonte një ligj madhor për refomimin e kujdesit shëndetosr, presidenti është përpjekur të çojë përpara çështje të tjera me përparësi në politikën e brëndshme, veçanërisht objektivin e vështirë për të reformuar ligjin e imigracionit.

Nëse reforma e imigracionit ka ndonjë shans të miratohet në një atmosferë aktuale përçarëse në Kongresin amerikan mbetet për t’u parë, ndërkohë që demokratët shtyrtojnë mënyrat se çfarë legjislacioni mund të miratojnë në këtë vit zgjedhjesh.

Në komentet që bëri kohët e fundit për gazetarët, presidenti e cilësoi imigracionin një çështje të vështirë që kërkon vullnet politik. Ai tha se ai dhe demokratët e shumicës në Kongres do të kenë nevojë nga republikanët për miratimin e ligjit.

Në ceremoninë me rastin e tradhëgimisë dhe krenarisë meksikane dje në Shtëpinë e Bardhë, presidenti u përpoq të riqartësonte qëndrimin e tij për perspektivën e reformës së imigracionit, duke thënë se ai dëshiron të shikojë përparim këtë vit:

"Dua që ta fillojmë punën këtë vit dhe dua që demokratët dhe republikanët të bashkëpunojnë me mua".

Ndërsa kanë mbetur vetëm 6 muaj nga zgjedhjet e nëntorit për në Kongres, është e qartë se çdo përpjekje për miratimin e reformës së imigracionit duhet të fillojë në Senatin amerikan.

Javën e kaluar, demokratët paraqitën një propozim për reformën, i cili përfshinte aspekte si kontrolle më të ashpra në kufi si dhe një proces që do të çonte në pranimin ligjërisht dhe shtetësinë eventuale për rreth 12 milion imigrantë të paligjshëm që jetojnë aktualisht në Shtetet e Bashkuara.

Duke e cilësuar sistemin e imigracionit si tepër jo funksional, me pasoja të rënda për miliona njerëz si dhe për ekonominë amerikane, senatori i New Yorkut Charles Schumer, ashtu si shumë demokratë të tjerë, i bëri thirrje republikanëve që të angazhohen për reformën e imigracionit

"Ne po u kërkojmë kolegëve tanë republikanë që të punojnë me ne në këtë pikë të vështirë. Koha vetëm për të folur ka kaluar. Ne e dimë se nuk mund të miratojmë një reformë gjithëpërfshirëse pa pjesëmarrjen e të dyja partive politike".

Tani në qendër të debatit të imigracionit është një ligj kontradiktor në shtetin e Arzonës, i cili u kërkon qytetarëve jo-shtetas që të mbajnë me vete dokumentat që provojnë statusin e tyre të ligjshëm dhe autorizon policinë që të marrë në pyetje individë, që dyshohet se nuk janë të ligjshëm në këtë vend.

Duke përsëritur kritikat e tij për ligjin e Arizonës, presidenti tha se përgjigja për reformën e imigracionit nuk është minimi i parimeve themelore që përcaktojnë Amerikën.

"Ne nuk mund të dallojmë individët, duke u nisur nga mënyra e të paraqiturit, e të folurit apo e të veshurit. Ne nuk mund t’i bëjmë qytetarët amerikanë dhe imigrantët objekt dyshimi dhe abuzimi. Ne nuk mund ta ndajmë popullin amerikan në këtë formë. Kjo nuk është përgjigja, kjo mënyrë nuk pasqyron Shtetet e Bashkuara".

Ndërsa Presidenti Obama vazhdon të kërkojë bashkëpunimin e republikanëve për të çuar përpara reformën e imigracionit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs ofroi këtë vlerësim rreth mundësive për të siguruar mbështetjen republikane:

"Nuk e kam të qartë numrin e republikanëve në Senat që mbështesin reformën e imigracionit, por një numër i madh i tyre janë sponsorizues të legjislacionit".

Në ceremoninë e djeshme në Shtëpinë e Bardhë ishin të pranishëm anëtarë hispanikë të Kongresit dhe të kabinetit të presidentit Obama si dhe ambasadori i Meksikës në Shtetet e Bashkuara, Arturo Saruhan, si dhe Sekretari i Punëve të Brendshme të Meksikës.

Pas dy javësh, presidenti Obama do të presë në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Meksikës, Felipe Kalderon dhe gruan e tij, të cilët do të vijnë në Shtetet e Bashkuara për një vizitë shtetrore.

XS
SM
MD
LG